Lidhje

Titulli IX, ligji që u hapi mundësi në sport shumë vajzave amerikane

  • Michael Lipin

Shtetet e Bashkuara po shënojnë 40 vjetorin e një ligji që u kërkon shkollave të përdorin fonde federale që t’u ofrojnë nxënësve të të dyja gjinive mundësi të barabarta për sporte dhe aktivitete të tjera. Përkrahësit thonë se ligji i njohur si Titulli IX, ka rritur ndjeshëm numrin e vajzave që merren me sport, por kritikët thonë se kjo rritje u ka kushtuar djemve, duke ulur mundësitë që ata të konkurrojnë në nivelet më të larta të sporteve në rang shkollor.

Në një turne të zhvilluar kohët e fundit në Uashington, ekipe basketbolli për vajza të shkollave të mesme jo vetëm konkurruan mes tyre, por edhe mësuan për përmbajtjen e një ligji 40 vjeçar që i ka ndihmuar shumë nga këto vajza të përmbushin ambicjet e tyre sportive.

Nira Fields erdhi nga Kalifornia për këtë aktivitet:

“Këtu edhe luajmë basketboll, edhe mësojmë gjëra të reja. Më kryesorja ndër ato që mësova ishte barazia mes sporteve për vajzat dhe djemtë”.

Ligji Titulli IX i vitit 1972 thotë se shkollat që marrin fonde federale nuk mund të diskriminojnë në ndarjen e këtyre fondeve mes ekipeve të vajzave apo djemve:

Si rezultat, një numër më i madh universitetesh ofrojnë bursa për studente që merren me sport, duke u dhënë atyre mundësinë për arsim dhe për të konkurruar në sport.

Tina Thompson, një ndër pikëshënueset më të mira të Shoqatës Kombëtare të Basketbollit për Femra, thotë se bursa i dha mundësi të përballonte koston e universitetit:

“Jemi pesë fëmijë në familje, prandaj ndoshta do të kishte qenë e pamundur që të ndiqja studimet në Universitetin e Kalifornisë së Jugut. Por falë ligjit Titulli IX, mund të zgjidhja çdo shkollë që të dëshiroja në vend”.

Që nga hyrja në fuqi e ligjit, sporti amerikan për femra ka shënuar sukses edhe në konkurrime ndërkombëtare. Shtetet e Bashkuara dolën vjet në finalet e Kupës Botërore të Futbollit për Femra përballë Japonisë.

Por ligji ka plot kundërshtarë. Kritikët e tij thonë se Titulli IX diskriminon djemtë që merren me sport duke u bërë presion universiteteve të mos japin shumë bursa në sporte pa popullaritet të madh, si mundja.

Shumë universitete kanë mbyllur disa ekipe për djem, si rezultat i kostos dhe për të përballuar kushtet e vëna nga Titulli IX për hapjen e të njëjta mundësive për vajza.

Bryan Hazard është trajner i mundjes në shkollën e mesme Robinson, që organizon një turne vjetor për mundjen në Virxhinian veriore. Ai thotë se programi i mundjes në universitet që e nxiti gjatë shkollës së mesme të merrej me këtë sport, tani është mbyllur si rezultat i Titullit IX.

“Për mua kjo s’është e drejtë. Ne u trajtuam si shifra statistikore”.

Sabrina Schaeffer, drejtoreshë ekzekutive e Forumit të Pavarur për Gratë thotë se Titulli IX faktikisht u imponon shkollave përqindje për përfaqësimin e vajzave në sport.

“Ka dallime të mirëfillta mes dy gjinive, gjë që s’duhet ta fshehim me ligje”.

Përkrahësit e Titullit IX thonë se shkollat shpesh eliminojnë programe të vogla sportive të djemve për të përballuar koston e sporteve të kushtueshme si basketbolli apo futbolli amerikan.

Ndërkohë që shënohet 40 vjetori i ligjit Titulli IX, përkrahësit e tij zotohen të vazhdojnë betejën për t’u hapur vajzave më shumë mundësi në sporte.

XS
SM
MD
LG