Lidhje

Tokjo: Dyfishohet radioaktiviteti në ujin e pijshëm

  • Zëri Amerikës
  • Uashington

Tokjo: Dyfishohet radioaktiviteti në ujin e pijshëm

Tokjo: Dyfishohet radioaktiviteti në ujin e pijshëm

Guvernatori i Tokios Shintaro Ishihara u bëri thirrje 13 milionë banorëve të kryeqytetit japonez të ruajnë qetësinë pasi u zbulua se niveli i jodios radioaktive ishte rritur në ujin e pijshëm. Njoftimi u bë i ditur pasi zyrtarët pezulluan punën në uzinën bërthamore të Fukushimës 250 kilometra nga Tokjo. Në kryeqytet zyrtarët thanë se niveli i jodios radioaktive në impiantet e pastrimit të ujit kishte arritur në nivele të pranueshme për të rriturit, por dyfish më i lartë se lejohet për foshnjet.

Banorët e Tokios nxituan të blenin shishe uji sot, pasi zyrtarët njoftuan se niveli i materialit radioaktiv në ujin e pijshëm të Tokios u rrit më shumë se dyfishin e lejuar për fëmijët nën një vjeç. Foshnjet janë shumë të ndjeshme ndaj jodios radioaktive e cila, sipas ekspertëve, mund të shkaktojë kancer në tiroide.

“Ne këshillojmë foshnjet në Tokjo dhe një pjesë të zonës Tama të mos e pijnë ujin e çesmes,” thotë Ei Joshida, shef i departamentit të pastrimit të ujit.

Radioaktiviteti ka arritur tek zarzavatet, qumështi i papërpunuar, uji i pijshëm si dhe në ujin e detit që rrethon centralin bërthamor Daiçi të Fukushimës që nga goditja e cunamit pas tërmetit 9 ballësh.

Megjithatë, zyrtarët nga Zyra e Ujit në Tokio bënë thirrje për qetësi, duke thënë se sasi të vogla të ujit të pijshëm nga foshnjet nuk kishte problem dhe se niveli i tanishëm nuk përbënte ndonjë rrezik të menjëhershëm për fëmijët apo të rriturit.

Megjithatë, në qendër të Tokios, banorët thanë se po blinin ujë në shishe për t’u përgatitur për zhvillime të reja.

“Dua të kemi sa më shumë rezerva uji tani, meqë ka të ngjarë që niveli i radioaktivitetit të ngrihet në vend që të ulet,” thotë 37-vjeçarja Ajumi Sakamoto.

Brokoli iu shtua listës së zarzavateve të prekura nga radioaktiviteti, ndërsa zyrtarët amerikanë njoftuan ndalimin e produkteve të bulmetit dhe prodhimeve të tjera nga rajoni.

Qeveria japoneze zgjeroi kufizimet për shitjen e qumështit dhe zarzavateve të tjera nga zonat e ndotura nga centrali bërthamor i Fukushimës, i cili ka vazhduar të përhapë radioaktivitet në mjedisin përreth që nga tërmeti masiv dhe cunami i 11 marsit.

XS
SM
MD
LG