Lidhje

Tiranë: Arrestohen deputetët Tom Doshi dhe Mark Frroku


Policia shqiptare arrestoi sot në mesditë deputetët Tom Doshi dhe Mark Frroku 3 orë pasi parlamenti shqiptar miratoi kërkesën e prokurorisë për t'i arrestuar ata si dhe për të kontrolluar banesat e tyre pas akuzave për dëshmi të rreme ndaj tyre.

Votimi i parlamentit iu dërgua prokurorisë brenda një ore. I pari u arrestua në banesë, ndërsa tjetri në një lokal të familjes. Mesnatën e kaluar komisioni parlamentar i mandateve, miratoi njëzëri kërkesën e prokurorisë, e cila u votua sot në seancë me 80 dhe 79 vota.

Pas nisjes së tensionuar të seancës, kryeministri Rama kërkoi që të zbatohet rregullorja, e cila parashihte një votim të thjeshtë pasi të dëgjoheshin dy deputetët.

Deputeti Doshi nuk ishte dhe nuk foli në seancë, ndërsa deputeti tjetër Mark Frroku u kërkoi kolegëve ta rrëzojnë me gjakftohtësi kërkesën e prokurorisë de të mos votojnë në mënyrë të verbër.

Në fillim opozita kërkoi që seanca të shtyhej, por më pas një përfaqësues i saj lexoi një raport paralel mbi ngjarjen, ndryshe nga ai i kryetarit të komisionit. Një tjetër raport mbi ngjarjen u lexua nga deputeti socialist, që i shihte zhvillimet nga një këndvështrim tjetër.

Kryetari i parlamentit Ilir Meta, i cili u akuzua nga deputeti Doshi si porositës i vrasjes së dy deputetëve, tha me qetësi në foltore se i besonte drejtësisë, madje solli edhe një detaj, që disa prova nuk mund të publikohen, sepse humbin vlerën e tyre para trupit gjykues.

Opozita përsëri braktisi seancën plenare në fazën e votimit, edhe pse më parë pati deklaruar se nuk do t'i pengonte hetimet mbi ngjarjen e paqartë, që për disa është porosi për dy vrasje nga kryetari i parlamentit Ilr Meta dhe për pjesën më të madhe është histori e sajuar nga deputetët Doshi dhe Frroku.

Opozita doli nga salla, shumica votoi autorizimin e prokurorisë, dhe më pas u diskutua ligji i ri për pensionet, mbi të cilin pakkush e kishte vëmendjen më tej.

Kjo është hera e parë që parlamentit i kërkohet autorizim për arrestim deputeti dhe kontroll banese.

Në pak raste të tjera më parë si deputeti Fatos Nano dhe deputeti Azem Hajdari, apo Ilir Meta dhe Lulzim Basha, si edhe Fatmir Mediu dhe Besnik Bare, parlamenti ka votuar vetëm heqjen e imunitetit parlamentar për t'i hapur rrugë hetimeve në cështje të ndryshme korrupsioni apo kriminaliteti.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG