Lidhje

Tom Doshi përjashtohet nga grupi i PS-së

  • Armand Mero

Vendimi pas akuzave që deputeti bëri javën e shkuar. Kryeministri Rama: Eshtë i lirë t’i provojë para drejtësisë. Doshi: Meta ka paguar për vrasjen time dhe deputetit demokrat Mhill Fufi

Në Shqipëri, grupi parlamentar i Partisë socialiste vendosi sot të përjashtojë nga radhët e veta deputetin Tom Doshi, pas akuzave të këtij të fundit javën e shkuar se i kishte shpallur luftë kryeministrit Edi Rama dhe se do të trondiste shumicën me ato për të cilat ai kishte dijeni. Zoti Rama i konsideroi të papranueshme sulmet personale ndaj shumicës dhe qeverisë, ndërsa propozoi përjashtimin. Deputeti Doshi e shtoi dozën e këtyre akuzave duke deklaruar se kryetari i parlamentit Ilir Meta kishte paguar sipas tij një person për të vrarë atë dhe deputetin demokrat Mhill Fufi.

“Kur të flas unë më tepër do t’i dridhen themelet shumicës dhe qeverisë. Edi Rama është mosmirënjohës dhe bukshkalë, për mua dhe të gjithë ata që e votuan në Shkodër, dhe këtë do ta shohë dhe në zgjedhjet lokale. Sapo ka filluar lufta mes meje dhe tij”. Këto deklarata të bëra javën e shkuar dhe akuzat që deputeti Doshi lëshoi dhe ndaj drejtuesve të tjerë të lartë të institucioneve, duket se e vunë kryeministrin Edi Rama përpara një zgjedhjeje të detyruar, pavarësisht përpjekjeve të vecuara deputetësh socialist për t’i hedhur ujë zjarrit të ndezur.

Në fjalën e tij sot, para grupit parlamentar socialist, kryeministri nuk ka patur asnjë mëdyshje, ndërsa është shprehur se me deklaratat e tij deputeti Doshi e ka bërë të pamundur që të vazhdojë të jetë pjesë e grupit socialist, duke saktësuar se “me akuzat e tij deputeti ka shkuar përtej personit tim dhe ka cënuar rëndë dinjitetin e këtij grupi e të kësaj qeverie”. Sipas zotit Rama “gjithkush në grupin socialist është i lirë të thotë atë që mendon për qeverinë, por askush nuk mund të mendojë të thotë, as këtu dhe as në publik, se i ka shpallur luftë qeverisë”, është shprehur ai. Kryeministri ka nënvizuar se deputeti Doshi është i lirë “të shkojë të provojë në rrugë ligjore vërtetësinë e akuzave të tij të papranueshme në adresë të qeverisë e të shumicës parlamentare”.

Pas propozimit për përjashtim zoti Doshi ka marrë fjalën duke shtuar dozën e akuzave dhe më pas është larguar nga mbledhja duke u shprehur se “Edi Rama sot ka një tutor që quhet Ilir Meta i cili ka paguar lekë dhe ka urdhëruar të më vrasë mua dhe Mhill Fufin. Ka pesë muaj që ja kam bërë të qartë dhe vetë Ilirit dhe Edi Ramës, dhe kryeprokurorit të Përgjithshëm”.

Mhill Fufi është deputet i partisë demokratike, pasi zëvendësoi një tjetër deputet të dorëhequr. Ditën e zgjedhjeve të 23 qershorit të 2013 ai mbeti i plagosur gjatë një shkëmbimi zjarri pranë një qendre votimi, ku u vra dhe një aktivist i Lëvizjes socialiste për integrim.

Deputeti Doshi tha se ai ka dhe prova për akuzat e tij. “Prova është se personi që ka marrë përsipër për të kryer këtë akt është takuar dhe me ministrin Tahiri. Disponoj video dhe gjithshka”, tha ai.

Largimi i zotit Doshi ka bërë që në mbledhjen e grupit të mos ketë debate të tjera, përvec një shkëmbimi replikash mes kryeministrit Edi Rama dhe deputetit Ben Blushi, sipas të cilit, kjo që ndodhi “është historia e dy shokëve të ngushtë që u zunë për arsye që s’duan të na I thonë dhe as nuk duam t’i marrim vesh. Por fatkeqësisht, një histori miqësie disavjecare që u prish për arsye që nuk dua t’i di, po që nuk janë politike, po i vënë një damkë të madhe partisë socialiste. Dhe sigurisht Edi Rama si njeri që duhet ta administronte këtë gjë prej shumë kohësh, të qeveriste më mirë, ka përgjegjësinë e vet, sado që jam dakort me faktin që bashkëjetesa në këto kushte ishte e pamundur”.

Deputeti Doshi, i cili njihet si një njeri me biznese tejet fitimprurëse, por mbi të cilat shpesh janë hedhur hije të forta dyshimi, ishte protagonist i fitores që për herë të parë e majta siguroi në zgjedhjet e fundit në Shkodër, zonë e njohur si një bastion i së djathtës.

XS
SM
MD
LG