Lidhje

"Hamilton", fituesi kryesor i çmimeve "Tony"


Të dielën në Nju Jork u ndanë Çmimet Tony, që vlerësojnë arritjet në Broadway. Edhe pse realizuesit ishin përpjekur për t’i dhënë nota festive, ceremonia e mbrëmshme, u përshkua nga ndjenja e dhimbjes për viktimat e sulmit të përgjakshëm në Orlando.

Muzikali "Hamilton", që trajton historinë e jetës së njërit prej themeluesve të Shteteve të Bashkuara Alexander Hamilton, mori 11 çmime, mes të tjerëve ata më të rëndësishmit, si muzikali më i mirë, të regjisorit më të mirë, aktorit më të mirë dhe libretit më të mirë bazuar tek një libër. Këto çmime këtë herë i përkasin një artisti, Lin Manuel Mirandas, i cili mbajti një fjalim mbresëlënës për forcën e dashurisë:

“Shfaqja është një provë se historia le gjurmë. Ne jetojmë në një kohë kur urrejtja dhe frika duket se janë më të forta, ne ngrihemi, biem dhe ndriçojmë nga hiri; kujtimet, shpresa dhe dashuria zgjasin më tepër… Por dashuria është dashuri, ajo nuk mund të vritet. Unë i këndoj asaj si një simfoni, Eliza tregon historinë e saj. Mbusheni botën me muzikë, me dashuri dhe krenari."- tha ai.

Ky artist i talentuar këtë vit është edhe fituesi i Çmimit Pulitzer për dramën më të mirë, atë Grammy për albumin më të mirë muzikor të vitit dhe i çmimit për interpretim të shquar të një drame, që jepet nga Lidhja e Dramës.

Muzikali Hamilton ishte emëruar për 16 çmime dhe mori 11 prej tyre, mes tyre, për teknikën e realizimit, për ndriçimin, kostumet, koreografinë dhe orkstrimin. Ai rrëfen historinë e jetës së Alexandër Hamiltonit përmes një gërshetimi me mjeshtëri të disa zhanreve muzikore, si hip-hop, rap, R&B, balladave dhe shfaqjeve tradicionale të Broadway-it që zakonisht shoqërohen me duartrokitje të shumta.

Ndër fituesit e tjerë të çmimeve Tony ishin Frank Langella, atë të aktorit më të mirë për interpretimin e një personazhi partriarkal me Alxajmer, në dramën "The Father."

Drama "The Humans" ishte fituese e Tonyt për dramën më të mirë. "The Color Purple" mori çmimin e muzikalit më të mirë që rikthehet në skenë, ndërsa aktorja Cynthia Erivo ishte fituesja e çmimit Tony si aktorja më e mirë e një muzikali.

Festimet për dhënien çmimeve Tony u errësuan në një farë mënyre nga sulmi tragjik në klubin e natës në Orlando, ku hunbën jetën 50 vetë dhe u plagosën 53 të tjerë. Në fjalën e tyre gjatë marrjes së çmimit, disa nga fituesit folën për tragjedinë e së shtunës mbrëma.

Jessica Lange, fituese e çmimit Tony si aktorja më e mirë për intrepretimin e rolit të Mary Tyrone, një vajzë e dhënë pas përdorimit të morfinës, në shfaqjen "Long Day's Journey Into Night”, tha se çmimi i saj i parë Tony “e kishte lumturuar edhe në një ditë kaq të trishtueshme.”

Drejtuesi i ceremonisë së mbrëmshme, James Corden e hapi shfaqjen që zakonisht fillon me nota energjike dhe festive, me fjalët “Tragjedia juaj është tragjedia jonë … urrejtja nuk ka për të fituar kurrë. Shfaqja sonte është një simbol i kremtimit të këtij parimi.”

Gjatë pranimit të çmimit si muzikali më i mirë, Manuel Miranda, recitoi një sonetë, të shkruar sipas stilit të dramës Hamilton: “Akte tragjike të pakuptimta… në një kohë urrejtjesh”, tha ai me zërin që i dridhej duke përfundurar “Dashuria është dashuri dhe nuk mund të vritet kurrë.”

Çmimet Antoinette Perry për arritjet më të mira në teatër, që shkurt njihen si çmimet Tony jepen nga Dega e Teatrit amerikan dhe nga Liga e Broadway-t, në një ceremoni të përvitshme në Nju Jork. Ceremonia e mbrëmshme që u mbajt në teatrin Beacon ishte e 70-ta e çmimeve Tony.

Ndërsa ceremonia e çmimeve Oscar u kritikua ngaqë nuk pati artistë të emëruar për çmime nga pakicat, ceremonia Tony u dallua për diversitetin e artistëve.

XS
SM
MD
LG