Lidhje

Tony Blair flet për ndërhyrjen në Irak


Ish- kryeministri britanik Tony Blair kërkoi ndjesë për gabimet gjatë ndërhyrjes ushtarake në Irak të udhëhequr prej Shteteve të Bashkuara. Në një intervistë për kanalin CNN, ai fajësoi ndërhyrjen ushtarake si shkaktare të konflikteve të tanishme në rajon, përfshirë lindjen e Shtetit Islamik në Irak dhe në Siri.

Ish-kryeministri Tony Blair kritikoi mbledhjen e të dhënave rreth armëve të shkatërrimit në masë që çuan drejt ndërhyrjes ushtarake në Irak, por nuk kërkoi ndjesë për luftën që u zhvillua. Ai foli gjatë një interviste për gabime në planifikim dhe në botëkuptimin e asaj që do të ndodhte pasi të ishte rrëzuar regjimi i Saddam Husseinit.

Gjatë një seance në janar të vitit 2010 të komisionit hetimor britanik për luftën në Irak, zoti Blair pati mbrojtur vendimin për të ndërhyrë ushtarakisht.

“Pozicioni ndaj armëve të shkatërrimit në masë kishte ndryshuar në mënyrë dramatike si pasojë e sulmeve të 11 shtatorit.”

I pyetur në atë kohë nëse ky perceptim ndryshonte thelbin e rrezikshmërisë së regjimit të Saddam Husseinit, ai u përgjigj se:

“Në situata të tilla duhet të bëhet vlerësimi i rrezikshmërisë. Vlerësimi im i kryer para sulmeve të 11 shtatorit, ishte se Saddam Hussein përbënte një kërcënim real.”

Gjatë intervistës që dha për CNN-in, zoti Blair përforcoi mendimin e tij të shprehur pesë vjet më parë, duke thënë se e gjen të vështirë të kërkojë ndjesë për rrëzimin e Saddamit. Ai shtoi se edhe tashmë në vitin 2015, është më mirë që nuk ekziston më regjimi i tij.

Gjatë ndërhyrjes në Irak, forcat britanike ishin të dytat në numër, me rreth 45 mijë trupa, të cilat iu bashkuan 150 mijë forcave ushtarake nga Shtetet e Bashkuara, Australia, Spanja dhe Polonia. Gjatë konfliktit humbën jetën 179 ushtarë britanikë.

XS
SM
MD
LG