Lidhje

Parlamenti çel konkursin për kryetar të ri në KQZ


Por Partia Socialiste e opozitës tha se parlamenti po e nënvlerëson këtë procedurë të re.

Parlamenti shqiptar bëri të ditur se pas disa ditësh 3 shtator çelet gara kryetarin e ri të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, post, që sipas ndryshimeve të fundit në Kodin Zgjedhor, do të plotësohet nga përzgjedhja mes kandidaturave të lira nga publiku i gjerë qytetar. Kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli, deklaroi se “Kodi Zgjedhor i miratuar me mirëkuptim nga partitë kryesore është botuar në fletoren zyrtare në 17 gusht, hyn në fuqi pas dy javësh, dhe duke filluar nga 3 shtatori procesi është i hapur dhe transparent, madje është i mirëpitur një numër sa më i madh konkurentësh, për të patur mundësi sa më të gjera përzgjedhjesh”.

Por Partia Socialiste tha se parlamenti po e nënvlerëson këtë procedurë të re. Deputeti socialist, Damian Gjiknuri, thotë se “KQZ e re duhet të zgjidhet brenda muajit shtator dhe përzgjedhja e kryetarit të KQZ-së tashmë duhet të ishte në mesin e procedurave”. Sipas tij, parlamenti ka humbur dy javë kohë qysh nga 16 gushti kur presidenti dekretoi Kodin Zgjedhor, kohë kur duhet të mblidheshin aplikimet nga konkurrentët.

Socialistët kanë kërkuar vazhdimisht rindërtimin e KQZ-së dhe nisjen pa humbur kohë të përgatitjeve teknike për procesin zgjedhor, si votimi elektronik dhe identifikimi i votuesve në kryeqytet. Vonesat në zgjedhjen e KQZ-së së re, thonë ata, do të shkaktojnë vonesa zinxhir në përgatitjen sa më të saktë të zgjedhjeve të ardhshme.

Demokratë dhe socialistë pritet të jenë shumë të vëmendshëm në seancat dëgjimore të komisionit parlamentar të ligjeve për të zgjedhur kandidatë sa më të mirë me përvojë profesionale dhe integritet qytetar për të përmirësuar punën e KQZ-së, të kritikuar mjaft deri tani.

Kjo është hera e parë që kryetari i KQZ-së zgjidhet me një konkurs të hapur qytetar, ku mund të kandidojë çdo profesionist i lirë, i cili do të shpjegojë lirisht pikëpamjet e veta në seancë dëgjimore para deputetëve. Gjatë 20 viteve të pluralizmit, kryetarët e KQZ-së janë emëruar nga partitë e alternuara në pushtet. Madje ata janë akuzuar ashpër për njëanshmëri, edhe kur janë zgjedhur me mirëkuptim dhe vota maksimale nga deputetët në parlament, siç u zgjodh kryetari i deritanishëm, Arben Ristani.
XS
SM
MD
LG