Lidhje

Topi: 8 maji duhet të shënojë fundin e eksperimenteve politike me zgjedhjet

  • Armand Mero

Topi: 8 maji duhet të shënojë fundin e eksperimenteve politike me zgjedhjet

Topi: 8 maji duhet të shënojë fundin e eksperimenteve politike me zgjedhjet

Në Shqipëri presidenti Bamir Topi tha sot se 8 maji duhet të shënojë fundin e eksperimentit politik me zgjedhjet. Ai kritikoi forcat politike për retorikën konfliktuale, mungesën e debateve dhe incidentet duke u shprehur se zgjedhjet e 8 majit nuk janë një garë mes simboleve, slloganeve apo drejtuesve të partive. Ai shprehu shqetësim për informacione për premtime në shkëmbim të votës apo tregtim të saj, të cilat ndonëse sporadike, sic u shpreh presidenti, nëse jetësohen përbëjnë akte të padenja e të papranueshme.

Situata e tensionuar parazgjedhore e cila u reflektua me një varg incidentesh në gjysmën e parë të fushatës si dhe pesha që këto zgjedhje do të kenë në të ardhmen e integrimit europian të vendit, kanë bërë që presidenti Bamir Topi të ndërhyjë disa herë gjatë kësaj periudhe me thirje të shpeshta për një proces të rregullt. Sot ai përfitoi nga një takim me koalicionin e vëzhguesve vendor për të kujtuar se Shqipëria nuk mund të vazhdojë odisenë problmatike me zgjedhjet.

“Ato duhet të shënojnë konsolidimin e një faze të re stabiliteti dhe demokracie të qëndrueshme! 8 maji ka shansin të jetë akti i fundit i eksperimentit politik me zgjedhjet dhe kështu, një sprovë me rëndësi për partitë politike, për kandidatët, për administratorët e zgjedhjeve dhe për institucionet apo grupet e tjera publike e civile të përfshira në këtë process të rëndësishëm”.

Presidenti Bamir Topi u shpreh me tone kritike ndaj partive politike dhe mënyrës së trajtimit të fushatës elektorale e cila sipas tij nuk është një garë midis simboleve, slloganeve militantëve apo shefave të tyre:

“Duket se një pjesë e kandidatëve dhe e partive politike e shohin 8 majin si një test force për militantët, strukturat dhe aftësinë e tyre kontrolluese mbi procesin. Retorika e toneve të larta dhe në disa raste, konfliktuale, mungesa e debateve profesionale mbi projektet dhe alternativat, problemet ende të mëdha në identifikimin e kufirit midis propagandës dhe nevojës për informim publik, mangësitë në transparencën e premtimeve dhe financimit elektoral apo edhe një varg incidentesh e aktesh dhune të panevojshme, - janë tregues se palët politike kanë një këndvështrim tjetër nga publiku i gjerë mbi rolin dhe rëndësinë e këtyre zgjedhjeve”.

Kreu i shtetit u shpreh se si pasojë e kodit zgjedhor në garën e 8 majit ka rënie të ndjeshme të kandidatëve të pavarur apo të alternatovave lokale, ndërsa shprehur shqetësim për numrin e ulët të përfaqësimit të grave apo fenomeneve të tjera:

“Po me shqetësim kemi konstatuar një numër kandidatësh nominalë me probleme në identitetin politik dhe në cilësitë e përfaqësimit. Informacionet për premtime në shkëmbim të votës, tregtim të votës, presioneve administrative për votë partiake apo forma të tjera abuzimi me votën, megjithëse sporadike, nëse jetësohen përbëjnë akte të padenja dhe të papranueshme”.

Presidenti Topi i bëri thirrje dy partive të mëdha të mos shfrytëzojnë kontrollin që kodi zgjedhor u jep mbi procesin zgjedhor:

“Partitë politike të mos përfitojnë nga monopoli bipolar në administrimin zgjedhor për të bllokuar apo imponuar procesin ligjor e teknik; të mos i shfrytëzojnë numrat e shumicës në komisione të niveleve të ndryshme për të cënuar sadopak klimën zgjedhore, barazinë apo integritetin e zgjedhjeve, dhe së fundi, por më me rëndësi, të dëshmojnë maturi e vullnet politik për të zgjidhur çdo mosmarrëveshje në formë konsensuale”.

Demokratët dhe socialistët kanë kontrollin e plotë në të gjitha nivelet e procesit zgjedhor e në këtë mënyrë janë ato që kanë në dorë vulën që do t’i vihet 8 majit.

Të ngjashme

XS
SM
MD
LG