Lidhje

Topi: Mungesa e bashkëpunimit pengon institucionet të luajnë rolin e tyre të plotë


Topi: Mungesa e bashkëpunimit pengon institucionet të luajnë rolin e tyre të plotë
Topi: Mungesa e bashkëpunimit pengon institucionet të luajnë rolin e tyre të plotë

Gjatë intervistës për Zërin e Amerikës, presidenti i Shqipërisë Bamir Topi, foli për klimën politike në Shqipëri, pozicionin e tij përballë mosmarrëveshjeve politike, çështjen e rinegocimit të marrëveshjes detare me Greqinë si dhe për diasporën shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Zëri i Amerikës: Zoti President, në fjalimin tuaj përpara Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së ju vutë në dukje përparimet e vendit tuaj si pranimin në NATO dhe hapat e hedhur drejt integrimit në BE. Megjithatë Shqipëria tani ndodhet në udhëkryq. Ajo aspiron anëtarësimin në BE, por nga ana tjetër megjithëse ka kaluar më shumë se një vit, ende nuk janë zgjidhur problemet me zgjedhjet e përgjithshme. Përse është kaq e vështirë arritja e konsesusit mes dy partive kryesore në Shqipëri?

Bamir Topi: Kjo është një pyetje që së pari i takon lidërshipit të partive kryesore politike në Shqipëri. Gjithsesi Presidenti i Republikës nuk mund të rrijë pa u shprehur, apo pa dhënë qëndrimin e tij edhe për çështje të rëndësishme të politikës shqiptare. Natyrisht pozicioni kushtetues i presidentit është që të inkurajojë dialogun politik midis palëve, por nga ana tjetër të mbajë dhe qëndrimet e duhura natyrisht në përputhje me kornizën kushtetuese. Ju keni të drejtë kur thoni se ende klima politike në Shqipëri është “e trazuar”, sepse nuk kemi ende një bashkëpunim substancial për reformat kryesore të cilat domosdoshmërisht kërkojnë një bashkëpunim dhe votim përtej asaj që konsiderohet mazhorancë e thjeshtë në parlament. E kam fjalën këtu për ligje që kanë të bëjnë me sistemin e drejtësisë, disa prej të cilave kërkojnë një votim të cilësuar, e kam fjalën për votimin e institucioneve të rëndësishme të cilat kërkojnë gjithashtu një votim më shumë se ai i thjeshti, kam parasysh këtu votimin për Avokatin e Popullit; nga ana tjetër e kam fjalën për ngritjen e disa institucioneve të cilat domosdoshmërisht i kërkon koha dhe funksionimi i ekonomisë së tregut, dhe konsolidimi i shtetit ligjor, sikurse është Gjykata Administrative. Mora në konsideratë 2-3 shembuj për t’iu thënë që vullneti politik shprehet pikërisht në votimin e çështjeve të rëndësishme të cilat kërkojnë domosdoshmërisht bashkëpunimin mes pozitës dhe opozitës.

Zëri i Amerikës: Një prej kritikave të vazhdueshme që i bëhet Shqipërisë është shkalla e lartë e korrupsionit. Por institucioni që duhet të luftojë korrupsionin, pra sistemi i drejtësisë, është akuzuar vetë si i korruptuar. Çfarë roli mund të luani ju si kreu i shtetit, si Kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë në luftën kundër korrupsionit?

Bamir Topi: Unë mendoj se çështja e luftës kundër korrupsionit është detyrimisht një çështje që korrupsioni duhet të luftohet nga të gjitha institucionet. Vërtetë Presidenti i Republikës është Kryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, por ju e dini që vetë Këshilli i Lartë i Drejtësisë kompozohet nga autoritete të gjyqësorit, që vijnë nga vetë gjyqësori, por vijnë edhe nga parlamenti. Pra prej më shumë se sa një viti kemi një hendikap përsa i përket edhe funksionimit të Konferencës Gjyqësore e cila sipas ligjit duhej të ishte organizuar pikërisht mbi bazën e një ligji të miratuar në parlament. Fakti që edhe kjo kërkon më shumë se sa një votim të thjeshtë, e ka detyruar gjyqësorin që të vetë-organizohet me predispozicionin për të mbyllur ato boshllëqe që ekzistojnë tek Këshilli i Lartë i Drejtësisë, por nga ana tjetër kërkohet domosdoshmërisht që edhe parlamenti, edhe vetë aktorët kryesorë politikë institucionalë, të bashkëpunojnë për të ndërtuar një raport të shëndoshë në mënyrë që edhe njerëzit e korruptuar në drejtësi të gjejnë një klimë të fortë bashkëpunuese, të mos gjejnë boshllëqe, për të operuar pastaj në një klimë që iu intereson vetëm atyre që janë mësuar me korrupsion. Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka patur një metodikë të saktë për të penalizuar ata gjyqtarë të korruptuar të cilët nuk kanë qenë në regull me detyrën. Por ka dhe një hallkë tjetër, t’i jepet e drejta qoftë gjyqtarëve, qoftë Gjykatës së Lartë për të mbajtur qëndrimin e fundit përsa i përket kritikave që vijnë nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë.

Zëri i Amerikës: Ju jeni zgjedhur në postin e presidentit, nga një funksion i lartë i Partisë Demokratike, por sot marrëdhëniet mes jush dhe kryetarit të PD, kryeministrit Sali Berisha dhe kryetares së Parlamentit znj. Jozefina Topalli, janë ulur në marrëdhënie thjesht institucionale. Përse ka ndodhur kështu?

Bamir Topi – Besoj që është një lajm i mirë që marrëdhëniet të jenë institucionale. Presidenti ka mbajtur pozicionin që i dikton Kushtetuta. Pra po të ishte ndryshe do të akuzohesha që po vazhdoj të bëj linjën e një partie politike. Fakti që presidenti në mënyrë shumë rigoroze është orientuar në punën e tij në konturet që i dikton Kushtetuta, tregon se është lajm i mirë.

Zëri i Amerikës: Atëherë po ua bëj pyetjen ndryshe. A jeni ju i kënaqur nga bashkëpunimi që keni me kryeministrin Sali Berisha dhe kryetaren e Parlamentit znj. Jozefina Topalli për të gjitha ato ligje që ju sapo përmendët, që duhet të kalojnë..?

Bamir Topi – Është tjetër gjë nëse unë duhet të diskutojë për raporte të një karakteri më personal. Por besoj se ai pozicion më imponon që të prevalojë pikërisht këto marrëdhënie institucionale. Unë asnjëherë nuk i kam bërë koment rrëzimit të dekreteve në parlament, sepsa ia kam njohur këtë atribut parlamentit. Por nga ana tjetër ju siguroj që presidenti asnjëherë nuk është intimiduar qoftë nga kritikat ose nga presionet politike, por përkundrazi, kam qenë dhe vazhdoj të jem i qetë në pozicionin tim dhe do vazhdoj t’a bëj me shumë gjakftohtësi dhe korrektësi pozicionin tim deri në përfundim të mandatit.

Zëri i Amerikës: Zoti Topi, sa e vështirë është për një president që të ushtrojë detyrën e tij në kushtet e një polarizimi të madh mes dy forcave kryesore dhe në mungesën e një bashkëpunimi politik. A ndjeheni ndonjëherë i paralizuar nga mungesa e kompromisit mes forcave politike?

Bamir Topi - Këtu nuk është çështja se si ndjehet personalisht apo individualisht presidenti. Këtu është një keqardhje që institucionet në përgjithësi, në mungesën e klimës së bashkëpunimit, përfshirë këtu dhe pozicionin e Presidenti, ndjehen jo në rolin e tyre të plotë, sepse kur gjërat shkojnë mirë, sigurisht shkojnë mirë për të gjithë. Ju e keni parë që edhe në kushtet e mungesës së dialogut, institucioni i presidentit nuk ka qëndruar spektator, përkundrazi, është vendosur në rolin e interlokutorit, padyshim me pëlqimin dhe vullnetin e partive politike, ka vënë në dizpozicion dhe ambjentet e institucionit, dhe padyshim ajo që keni ndjekur ka qenë në transparencë të plotë. Së fundmi, është vullneti i partive politike për të gjetur konsensusin, bashkëpunimin dhe për t’a ushtruar atë në funksion edhe të detyrimeve që kanë përpara njerëzve, sepse janë ata që janë votuar nga populli, edhe në zgjedhjet e fundit parlamentare, e këtë duhet t’a demonstrojnë natyrisht në Kuvendin e Shqipërisë.

Zëri i Amerikës - Z. President, gjatë qëndrimit në Nju Jork, ju u takuat dhe me kryeministrin e Greqisë, Jorgo Papandreu. Kohët e fundit Greqia ka shfaqur interes përsëri për marrëveshjen ujore me Shqipërinë. Marrëveshja e kaluar u hodh poshtë nga Gjykata Kushtetuese për një sërë shkeljesh. A mendoni se Shqipëria është gati për rinegocimin e marrëveshjes dhe çfarë duhet të ketë parasysh këtë herë?

Bamir Topi : Problemi është që kërkohet një vullnet i dyanshëm për të gjetur metodikën. Sepse për t’u futur në rinegocim kërkohet dhe vullneti i palës greke. Por unë mendoj që janë disa rrugë të mundshme, që mund të konsiderohen rrugë në parim. Nuk jam unë këtu sot për të thënë se cila rrugë duhet të ndiqet, por duhet të marrim në konsideratë patjetër dhe vendimin e Gjykatë Kushtetuese të Shqipërisë, i cili praktikisht konsiderohet si institucioni që është garanti i Kushtetutës. Rrugët janë të hapura, mund të ketë rrugë që konsiderohen si rrugët e rinegocimit, por mund të ketë rrugë që çojnë në aplikimin e vendimeve të gjykatave ndërkombëtare, me pëlqimin e të dyja palëve natyrisht. Asgjë nuk është e mbyllur, gjithçka është e hapur.

Zëri i Amerikës - A mendoni se nga përvoja e herës së kaluar, për një marrëveshje kaq të rëndësishme, strategjike për Shqipërinë, që pati shkelje kushtetuese, duhej që dikush të mbante përgjegjësi?

Bamir Topi - Kjo është çështje e përgjegjësisë së çdo individi, të çdo institucioni, unë mendoj se përderisa ka folur Gjykata Kushtetuese çdo koment mbi këtë që ka ndodhur do të ishte i tepërt sot.

Zëri i Amerikës – Zoti President, në takimet që keni pasur në Amerikë me diasporën shqiptare, ju bëtë thirrje për një bashkim të komunitetit shqiptar. Çfarë roli mendoni se mund të luajë Shqipëria për komunitetin shqiptar këtu në SHBA?

Bamir Topi: Unë mendoj atë rol që kam ushtruar dhe unë gjatë këtyre ditëve këtu, duke dialoguar me të gjithë përfaqësuesit, duke u dhënë mesazhet e mirëkuptimit, sepse për fat të keq ndonjëherë polarizimi politik në Shqipëri, demonstrohet edhe në diasporë. Unë mendoj se çështjet që na bashkojnë janë çështje substanciale. Ajo që kemi bërë dhe kemi arritur, sidomos me njohjen e pavarësisë së Kosovës dhe legjitimitetit të saj, është një nga elementët që duhet të na bashkojë. Dhe unë kam marrë mesazhe shumë të mira nga diaspora, kam vizituar të gjitha përfaqësitë fetare, kam marrë kontakte me të gjithë njerëzit që mund të kenë bindje të ndryshme, por e rëndësishme është që të gjithë sëbashku, sidomos diaspora, e cila ka luajtur në dekada rolin e ambasadorit për Shqipërinë, besoj duke u bashkuara, duke sintonizuar zërin e tyre, edhe fuqia e tyre do të jetë padyshim më e madhe.

XS
SM
MD
LG