Lidhje

Presidenti Topi dekretoi ministrat e rinj


Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi, dekretoi sot ndryshimet më të fundit të ministrave në qeverinë e kryeministrit Berisha. Ai emëroi me dekrete të posaçme ministrin e brendshëm - Flamur Noka, ministrin e shëndetësisë - Vangjel Tavo, ministrin e jashtëm - Edmond Panariti dhe ministrin e ekonomisë - Edmond Haxhinasto, i cili ishte në krye të diplomacisë shqiptare.

Presidenti Topi dekretoi njëkohësisht pa vonesë edhe shkarkimet dhe lëvizjet nga detyrat të ministrave paraardhës. Këto ndryshime në kabinetin e koalicionit qeveritar PD-LSI u provokuan nga zgjedhja President i Republikës i zotit Bujar Nishani, ish-ministër i brendshëm.

Ky ndryshim i detyruar në qeveri u shfrytëzua si rast nga LSI edhe për disa largime të tjera ministrash të vetët; Nasip Naço nga ekonomia dhe Petrit Vasili nga shëndetësia. Emërimet ministrore të LSI-së hodhën poshtë zërat për një rikthim të mundshëm të kryetarit të tyre, Ilir Meta, në kabinetin qeveritar, si edhe tërhoqën pas disa prej ministrave për t’u marrë me punët organizative të partisë, siç u shprehën përfaqësues të saj, tani që po afrohen zgjedhjet e reja.

PD dhe LSI kanë ndërtuar prej dy mandatesh një koalicion qeveritar me raporte të përcaktuara në një marrëveshje paraprake, e cila respektohet qetësisht nga palët qysh nga viti 2005. Drejtuesit e tyre janë shprehur të vendosur se do të paraqiten së bashku edhe në zgjedhjet e përgjithshme pas një viti, ashtu si në zgjedhjet e vjetshme vendore. Megjithatë, komentet mbi përpjekjet për të bashkuar forcat e majta në një koalicion të ri socialist nuk kanë ndaluar asnjëherë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG