Lidhje

Tiranë: Konferenca Ndërkombëtare mbi migrimin


Në Shqipëri u zhvillua sot konferenca ndërkombëtare e Avokatëve të Popullit mbi flukset e përziera migratore,

Përfaqësues të avokatëve të popullit dhe institucioneve për të drejtat njerëzore nga 18 shtete të Mesdheut, Ballkanit, Europës qendrore e veriore si dhe nga federata ibero-amerikane morën pjesë në konferencë me shqetësimin për të bashkëpunuar ngushtë në mbrojtje të emigrantëve.

Kriza e refugjatëve dhe avokati i popullit
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:03 0:00

Avokati i Popullit i Shqipërisë, Igli Totozani, i cili është edhe President i Shoqatës së Avokatëve të Mesdheut, tha se një trajtim të veçantë kërkon sot kriza e refugjatëve dhe migrantëve në Europë, si për vendet e origjinës, ato të kalimin dhe vendet e mbërritjes.

“Kriza aktuale e migracionit, lidhet me cenimin e rëndë të të drejtave të njeriut në rajone të përfshira nga konfliktet e armatosura dhe nga varfëria. Gjendja e tyre rëndohet prej dështimit të vendeve kalimtare dhe të mbërritjes për t'i trajtuar sipas standarteve të të drejtave njerëzore”, - tha ai.

Në thelb të kësaj krize, sipas zotit Totozani, mbetet çështja e të drejtave njerëzore në politikat e vendeve pritëse apo të kalimit.

“Nevojitet bashkërendimi i gjerë dhe mbështetja me burime të nevojshme për integrimin e atyre emigrantëve të parregullt që riatdhesohen, duke patur parasysh që për një pjesë të madhe syresh, kursimet e jetës janë përvetësuar nga trafikantët e qenieve njerëzore, që kanë “kapitalizuar” vuajtjen dhe ëndërrat e tyre. Përmasat e krizës së migracionit janë globale dhe përgjigja adeguate dhe e qëndrueshme mund të jetë veçse globale, bazuar në përqasje përfshirëse të aktorëve lokal, rajonal dhe ndërkombëtar” - tha zoti Totozani.

Avokatët e Popullit pohuan se kriza aktuale e migracionit është e paprecedentë dhe me sfida komplekse afat-shkurtra e afatgjata; ajo është krizë humanitare dhe krahas mbrojtjes ndërkombëtare të të drejtave njerëzore kërkon edhe bashkëpunimin financiar nga gjithë vendet pritëse.

Shqetësim mbetet profilizimi i refugjatëve për nga kombësia dhe mosgarantimi i të drejtës së azilit.

Pjesëmarrësit pohuan se moszbatimi i legjislacionit ndërkombëtar ka dëmtuar fëmijët, gratë, të moshuarit, viktima të torturës etj.

“Me këtë raport UNICEF i jep botës përshkrimin më të fundit krahasues në lidhje me fëmijët dhe familjet, që vuajnë, rrugët nga shkojnë, vendet nga lëvizin dhe rreziqet që përballin. Fëmijët në udhëtim dhe prindërit në migrim janë njerëzit më të rrezikuar mbi tokë. Kjo është një krizë e fëmijëve dhe bie mbi ta” - tha Antonella Scolamiero, përfaqësuese e UNICEF në Shqipëri.

“28 milionë fëmijë kanë lëvizur nga shtëpitë e tyre për shkak të dhunës dhe konflikteve dhe kanë ngecur nëpër kufijtë e shumë shteteve. Atyre nuk po garantohen sa dhe si duhet mbrojtja, strehimi dhe shumë nevoja të tjera sipas ligjeve ndërkombëtare”, - tha ajo.

Ashtu si përfaqësuesja e UNICEF-it, edhe përfaqësues nga Këshilli i Evropës dhe nga OKB kërkuan nga qeveritë e trajektoreve emigratore të zbatoojnë ligjet ndërkombëtare kushtuar të drejtave njerëzore, krizave humanitare dhe mbrojtjes ndërkombëtare.

Avokatët e popullit kërkuan që të punohet për rritjen e nivelit të sigurisë dhe qëndrueshmërisë që situatat e rënda të mos përshkallëzohen as në vendet e origjinës, në ato të kalimeve dhe as në ato të mbërritjes së sa u takon të drejtave dhe lirive themelore.

Vendet që morën pjesë në konferencën ndërkombëtare të Tiranës ishin Shqipëria, Mali, Kosova, Mauritania, Maroku, Kroacia, Turqia, Greqia, Maqedonia, Serbia, Belgjika, Suedia, Gjermania, Jolanda, Litania, Spanja, Meksika, Franca, dhe organizata si OKB, UNICEF dhe Këshilli i Europës.

XS
SM
MD
LG