Lidhje

Shqipëri, Avokati i Popullit i shqetësuar për shkeljet e të drejtave


Igli Totozani

Igli Totozani

Krahas vështirësive të mëdha ekonomike, shoqëria shqiptare vuajti këtë vit edhe nga një mori shkeljesh të të drejtave të njeriut.

Avokati i Popullit, Igli Totozani, thotë se pothuaj të gjitha shtresat dhe grupimet e shoqërisë vuajnë nga shkeljet dhe mosrespektimi i të drejtave njerëzore.

Avokati i Popullit trajtoi këtë vit disa mijëra ankesa, që dëshmojnë mungesën e ndjeshmërisë së administratës ndaj shkeljeve të shumta.

Shkeljet më të shumta janë kryer tek e drejta e pronës në procesin e tejzgjatur për kthimin dhe kompensimin e pronës si dhe në mosrregjistrimin e titujve të pronësisë.

Sipas Avokatit të Popullit, Igli Totozani, situata mbetet problematike në zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme dhe sistemin e Drejtësisë, ku, siç tha ai, nevojitet një reformë rrënjësore.

“Në administratën shtetërore mungon kultura e respektimit të të drejtave njerëzore. Pjesa dërrmuese e qeveritarëve nuk kanë konceptet bazë që puna e tyre e parë është të mbrojnë dhe të përmirësojnë jetën e qytetarëve” - thotë zoti Totozani.

Avokati Totozani theksoi se në dy vitet e fundit janë larguar nga administrata publike rreth 4100 nëpunës përmes shumë parregullsish në procedurat ligjore dhe shumë prej tyre po fitojnë gjyqet, por vendimet për kthim në punë nuk po zbatohen.

Ai thotë se ristrukturimi i institucioneve nuk përbën shkak për largim nga puna.

Mungesa e strehimit është një tjetër fushë, ku ndodhin masivisht shkelje të të drejtave të njeriut për të pastrehët.

Pjesa më e madhe e familjeve të pastreha nuk përfitojnë nga programet sociale dhe nuk përfitojnë banesa sociale.

Një numër i madh konsumatorësh të energjisë elektrike janë në pamundësi ekstreme ekonomike e që nuk arrijnë të përmbushin as nevojat më minimale për jetesë.

Punësimi i mësuesve dhe largimet nga puna të shumë prej tyre mbeten jo transparente.

Testimi i mësuesve ka sjellë pasiguri në vendet e punës së qindra arsimtarëve.

Mungesa e mësuesve për fëmijët me aftësi të kufizuara mbeti problem edhe këtë vit shkollor.

Në shëndetësi, mungojnë mjekët specialistë në shumicën e spitaleve të vendit, ndërkohë që po shkurtohen vendet e punës së personelit shëndetësor.

Në spitale ka mungesa të ilaçeve dhe shërbimeve mjekësore.

Të miturit detyrohen të bëjnë punë të vështira, lypin në rrugë për të mbijetuar, braktisin shkollat prej varfërisë dhe prej largësisë së shkollave nga banesat.

Rastet e dhunës fizike dhe abuzimit me të miturit janë shtuar dhe janë bërë të nevojshme investimet për fëmijët në nevojë.

Dhuna në familje dhe pafuqia ekonomike janë çështjet më të rënda, me të cilat përballen gratë në Shqipëri.

Gratë përballen me pabarazi dhe diskriminim, ato hasin vështirësi në përfitimin e ndihmës ekonomike.

Romët janë një grup i përjashtuar. Ata zhvendosen me forcë nga vendbanimet, fëmijët romë braktisin shkollën dhe shfrytëzohen për punë.

Personat me aftësi të kufizuara janë në vështirësi të mëdha, krahas komunitetit LGBT, që diskriminohen vazhdimisht.

Një sfidë më vete, thotë Avokati i Popullit, dëmshpërblimi për të persekutuarit politikë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG