Lidhje

Goditen trafikantët e refugjatëve në kufirin shqiptaro-grek


Policia e Gjirokastrës tha sot se arrestoi në flagrancë dy shtetas që akuzohen për veprën penale të trafikimit të refugjatëve sirianë. Dy të rinj nga Patosi i Fierit janë vënë në pranga pasi janë bllokuar me dyshimet se po udhëhiqnin një grup prej rreth 30 refugjatësh që kishin hyrë nga kufiri grek në territorin shqiptar. Sipas hetimeve paraprake të policisë, shtetasit e arrestuar e luanin këtë rol kundrejt shpërblimit prej një mijë dollarë për secilin nga shtetasit sirianë që kalonin nga kufiri shqiptaro-grek drejt kufirit me Malin e Zi.

Policia kufitare shqiptare ka bllokuar ditët e fundit dhjetëra refugjatë afganë dhe iranianë në brendësi të kufirit shqiptar. Refugjatët e bllokuar në afërsi të pikës kufitare të Kakavijës janë rikthyer drejt Greqisë pasi kanë pranuar vullnetarisht urdhrat e largimit nga autoritet policore shqiptare. Refugjatët kanë udhëtuar nga strehimoret greke duke synuar qëndrimin e përkohshëm në Shqipëri dhe më pas udhëtimin drejt vendeve europiane përmes kufirit të Malit të Zi.

Disa incidente ndaj refugjatëve në Ishullin grek Kios ditët e fundit dhe mbipopullimi në strehimoret e ishullit tjetër Samos, ku zbarkojnë qindra refugjatë, nxit trafikimin e tyre drejt vendeve kufitare, përfshirë dhe Shqipërinë. Agjensia e Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR) shprehu shqetësimin mbi incidentet e fundit ndaj refugjatëve në strehimoren në ishullin Kios ku mjediset dhe refugjatët u sulmuan me gurë dhe bomba molotov dhe për pasojë rreth 100 refugjatë u detyruan të largoheshin. Refugjatët, sipas zyrës së UNCHR-së në Greqi, i thanë ekipit të organizatës se ata janë të frikësuar të kthehen në strehimore.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG