Lidhje

Trafikimi i grave; rriten denoncimet


Në Shqipëri po shtohet ndërgjegjësimi dhe teknologjitë për të denoncuar trafikimin e qenieve njerëzore. Organizatat World Vision, USAID dhe NetHope kanë ofruar së bashku një aplikacion kompjuterik që qytetarët të denoncojnë sa më shpejt rastet e dyshuara për trafikimin e vajzave. Nga çelja e aplikimit “Raporto! Shpëto!” për telefonat smart androidë janë kryer mbi një mijë shkarkime të tij falas nga Google Play Store.

Ekspertët pohojnë se gjatë këtij viti janë mbi 40 gra e vajza, raste të reja dhe të përsëritura, që kanë marrë ndihmë në institucionet e shërbimit social. Tani viktimat po mbrohen më mirë dhe trafikanët po denoncohen dhe po dënohen më shumë.

Organizata World Vision, ministria e punëve të brendshme dhe fondacioni Vodafone Albania po bashkëpunojnë se si banorët të përdorin më mirë aplikacionin “Raporto! Shpëto!” kundër trafikimit. World vision ka zhvilluar këtë javë një fushatë ndërgjegjësimi në Korçë, Shkodër, Dibër, ndërsa veprimtaritë dhe trajnimet kundër trafikimit janë të vazhdueshme. Raportuesve jo të pakët u është garantuar anonimati.

Përdorimi i teknologjisë celulare për të raportuar raste trafikimi është një mënyrë e suksesshme në Shqipëri. Por ekspertët e kësaj fushe mendojnë se teknologjia dhe ndërgjegjësimi i njerëzve po japin rezultatet e tyre.

Trafikimi i qenieve njerëzore me qëllim shfrytëzimi nga Shqipëria drejt vendeve të tjera ka shënuar rënie të ndjeshme, por vëzhguesit mendojnë se problem serioz mbetet trafikimi i njerëzve brenda vendit. Bashkëpunimi më i ngushtë i institucioneve pritet të sjellë rezultate më të mëdha ndaj krimit të organizuar.

XS
SM
MD
LG