Lidhje

Trafikimi i grave dhe vajzave nigeriane në Itali


Kombet e Bashkuara vlerësojnë se çdo vit rreth 8,000 deri 10,000 gra dhe vajza nigeriane detyrohen të merren me prostitucion në rrugët e Italisë, duke i bërë ato grupin më të madh kombëtar të trafikuar në Itali për këtë qëllim. Është e vështirë për këto gra dhe vajza të shpëtojnë sepse shefat e tyre kërcënojnë familjet e tyre në Nigeri, dhe ushtrojnë dhunën për t’i mbajtur ato nën kontroll. Korrespondentja e Zërit e Amerikës Jill Craig njofton nga Torino e Italisë.

Në vitin 2007, 23-vjeçarja Cheryl ishte duke punuar në një spital në jug të Nigerisë. Vëllai i një pacienti i tha asaj se ajo mund të fitonte më shumë para nëse do të shkonte me të në një spital europian. Pas arritjes në Itali, shumë shpejt ajo mësoi se ishte mashtruar dhe tërhequr për t’u marrë me prostitucion.

“Ishte shumë e rrezikshme. Natën e parë unë u sulmova nga tre burra. Ata më rrahën. Ata donin të kalonin natën me mua, por unë refuzova. Ata më ofruan para, por unë u thashtë atyre që nuk dua të merrem me ta dhe pastaj ata më rrahën pa mëshirë. Disa vajza që ishin në anën tjetër të rrugës më ndihmuan”.

Gra dhe vajza nigeriane filluan të trafikohen në Itali për t’u marrë me prostitucion që në vitet 1980. Sipas Vittoria Luda di Cortemiglia, koordinatore e një programi në Institutin Ndër-rajonal të OKB-së për Studimin e Krimit dhe Drejtësisë, trafikantët nigerianë preferojnë Italinë për shkak të rrjeteve ekzistuese.

“Shumë shtetas nigerianë në fakt jetojnë në Itali, prandaj kjo është edhe arsyeja pse kontaktet mes dy vendeve janë ende shumë të forta”.

Trafikimi i nigerianëve është unik për shkak të përdorimit të një rituali, që forcon lidhjen ndërmjet viktimës dhe trafikantit. Para largimit nga Nigeria, vajzat shpesh i nënshtrohen një rituali në të cilin betohen se do t’i paguajnë “sponsorët”, e tyre me përqindje interesi, për udhëtimin e drejt Evropës.

Helena ishte 23 vjeç dhe punonte si artiste, kur ajo ra dakord për të shkuar në Evropë.
Pasi vajzat e kuptojnë se cili ëshë fati i tyre, trafikantët i kërcënojnë ato se do t’i dëmtojnë familjet e tyre në Nigeri, nëse ato shkelin betimin. Shumë vajza besojnë aq fort tek rituali sa që ato janë të tmerruar nga arratisja.

Dhe borxhet janë të mëdha. Kryesisht të paarsimuara, këto vajza nuk i kuptojnë normat e këmbimit apo normat e interesit, pa ditur ato betohem të shlyejnë borxhe me vlerë ndërmjet 40 mijë dhe 78 mijë dollarë. Helen përshkruan se çfarë i kërkonte shefja e saj për shlyerjen e borxhit.

“Ajo më thoshte brenda 10 ditëve, unë duhet t’i jepja asaj 1300 dollarë”.

Gratë e detyruara në prostitucion fitojnë rreth 13 dollarë nga një klient, dhe për të përmbushur këtë kuotë ato duhet të kryejnë marrëdhënie seksuale me të paktën 10 burra në ditë.

Rosanna Paradiso është presidente e TAMPEP, një organizatë anti-trafikimi me qendër në Torino. Një nga objektivat kryesore të organizatës është t’i ndihmojë gratë e detyruara në prostitucion të mbrojnë veten e tyre nga sida dhe sëmundjet tjera ngjitëse seksuale.

“Ato thonë se shumica e klientëve të tyre italianë kërkojnë marrëdhënie seksuale pa prezervativ, pa mbrojtje. Ky është problem i madh”.

Cheryl tani punon në një fabrikë pranë Torinos dhe ka bërë një jetë më të mirë për veten. Ajo shpreson se do t’i ndihmojë gratë e tjera nigeriane ta bëjnë të njëjtën gjë.

“Prostitucioni nuk është i mirë. Është një jetë me dhimbje dhe me lot. Nëse unë kam privilegjin për t’i treguar njerëzve të tjerë të cilët punojnë në rrugë të heqin dorë nga kjo veprimtari, unë do të bëjë atë sepse i kuptoj pasojat”.

XS
SM
MD
LG