Lidhje

Trafikimi dhe puna e detyruar, skllavëri moderne


Organizata Ndërkombëtare e Punës thotë se më shumë se 20 milionë njerëz në mbarë botën bëjnë punë të detyruar, duke punuar në ferma, fabrika, ose si shërbyes në familje. Mike O'Sullivan njofton se aktivistët kundër trafikimit të qenieve njerëzore thonë se puna e detyruar është një problem si në vendet në zhvillim ashtu edhe në vendeve industriale, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara.

Historitë e skllavërisë moderne janë në qendër të vëmendjes. Policia Indiane vitin e kaluar liroi 60 gra dhe vajza që mbaheshin në robëri në shtëpitë publike në Nju Deli. Autoritetet thonë se miliona fëmijë indianë bëjnë punë të detyruar.

Në qershor, policia liroi qindra punëtorë që bënin punë të detyruar në një fermë në Meksikë. Punëtorët nuk kishin marrë pagat e premtuara.

Në nëntor në në Los Anxhelos, autoritetet njoftuan një marrëveshje me kompaninë Del Monte Fresh Produce, pas një padie të ngritur kundër kësaj kompanie për diskriminim ndaj punonjësve me shtetësi tajlandeze. Del Monte nuk e pranoj fajin, por ra dakord për të bërë reforma.

Thiem Chayadit ishte një nga 150 punëtorët nga Tajlanda të punësuar në fermat në ishujt Hauai i cili do të ndaj me punëtorët e tjerë dëmshpërblimin financiar prej 1.2 milion dollarësh që kompania Del Monte ka rënë dakrod t’u paguajë si dëmshpërblim punëtorëve të diskriminuar. Komisioni i Shteteve të Bashkuara për Mundësi të Barabarta Punësimi ndërmjetësoi arritjen e marrëveshjes për dëmshpërblimin e punonjësve tajlandezë.

Ky është lajm i mirë për zotin Chaiyajit, i cili huazoi mbi 20 mijë dollarë për të paguar trafikantët që e sollën atë në Amerikë. Ai thotë se nuk ishte paguar për punën e tij.

"Unë isha shumë i pakënaqur sepse nuk dija se ku t’i gjeja paratë për të paguar borxhin në Tajlandë."

Avokatja rajonale e Komisionit, Anna Park thotë se veprimi ligjor është pjesë e një përpjekjeje më të gjerë nga ana e administratës së Presidentit Obama për t'i dhënë fund punës së detyruar, në këtë rast duke përdorur ligjet kundër diskriminimit në bazë të origjinës kombëtare.

"Shpesh dëgjojmë histori mbi njerëzit që arratisen nga punësimi i detyruar, por nuk dëgjojmë histori të largimeve normale për shkak të ligjeve të diskriminimit në punë."

Në një kishë në Kaliforni, ish viktima e trafikimit, Ima Matul thotë se ajo ka patur një përvojë të hidhur tre-vjeçare si shërbëtore në një familje, pasi ishte rekrutuar në Indonezi.

"Kush nuk dëshiron të vijë në Amerikë? Ata më premtuan 150 dollarë në muaj dhe një ditë pushim, dhe unë nuk duhej të paguaja asnjë tarifë për udhëtimin, vizën ose pashaportën."

Ajo thotë se ishte detyruar të punonte shtatë ditë në javë, u abuzua dhe nuk u pagua. Një fqinj, më në fund, e ndihmoi atë të arratisej.

"Ende më kujtohet mirë përvoja dhe arratisja ime nga ajo familje."

Ajo tani punon në organizatën jo fitmiprurëse Koalicioni për Eliminimin e Skllavërisë dhe Trafikimit, e cila e ka ndihmuar atë fillojë një jetë të re dhe të ndihmojë të tjerët.

Catherine Chen punon në Uashington për organizatën jo fitimprurëse Humanity United, e cila ka krijuar një partneritet me qeverinë amerikane për të rritur ndërgjegjësimin mbi këtë problem dhe për të ndihmuar viktimat.

"Gjërat më urgjente për të cilat kanë nevojë të mbijetuarit janë strehimi i sigurt, ndihma ligjore, dhe kujdesi shëndetësor."

Ajo thotë se trafikimi i qenieve njerëzore funksionon përmes një zinxhiri global të furnizimit, prandaj policia, qeveria dhe agjencitë sociale duhet të punojnë së bashku për të trajtuar këtë problem.
XS
SM
MD
LG