Lidhje

Trafikimi njerëzor në rritje

  • Joe Capua

Një studim i ri arrin në përfundimin se nevojitet shumë më tepër punë kërkimore për të analizuar pasojat që vuajnë burrat dhe djemtë që kanë qenë viktima të trafikut njerëzor. Sipas studimit, këto viktima nuk po marrin ndihmën e nevojshme psikologjike dhe mjekësore për të ndërtuar jetë normale.

Dr. Sian Oram (SHAN OR-am) thotë se trafiku njerëzor është një problem i madh, që vazhdon të përhapet:

“Organizatat ndërkombëtare përllogarisin se 2.5 milionë vetë gjenden në rrethana pune të detyruar si rezultat i trafikut. Këtë problem e hasim në çdo cep të globit. Sipas përllogaritjeve, rreth 270 mijë vetë janë aktualisht viktima të trafikut në vende të industrializuara, por ka gjithashtu qindra mijëra të tjerë në Afrikën nën-sahariane, në Lindjen e Mesme, Afrikën Veriore dhe Amerikën Latine”.

Zonja Oram kryesoi një ekip studiuesisht nga Instituti i Psikiatrisë pranë Universitetit King’s College të Londrës. Ajo thotë se janë bërë plot studime mbi efektet psikologjike dhe fizike të trafikimit tek gratë.

“Studimet në mënyrë të vazhdueshme raportonin mbi gjendjen e grave që janë trafikuar, qoftë për shfrytëzimin seksual që kanë përjetuar, apo nivelin e lartë të dhunës fizike dhe seksuale. Zbuluam nga studimet se viktimat kishin probleme të mëdha të shëndetit fizik, seksual dhe mendor”.

Shumë meshkuj bëhen viktima të punës së detyruar në fusha bujqësore ose varka peshkimi. Shumë fëmijë rekrutohen si ushtarë ose shfrytëzohen seksualisht apo për trafikun e drogës. Zonja Oram i përgjigjet pyetjes se sa njohuri është grumbulluar mbi efektet e trafikut tek këto viktima?

“Në fakt duket se fare pak. Nuk kemi identifikuar studime që të përqendrohen tek gjendja shëndetësore e meshkujve të trafikuar. Gjetëm vetëm dy raporte që flisnin për djem të trafikuar, por në mënyrë shumë të kufizuar”.

Dr. Oram nuk i ka të qarta arsyet për këtë mungesë interesi, por shton se mungesa e studimeve nënkupton se mungon edhe ndihma e nevojshme për këto viktima:

“Kjo nënkupton se kur organizohen përpjekje për të ndihmuar fëmijët dhe burrat e trafikuar që të kapërcejnë pasojat e kësaj përvoje të rëndë, nuk mund ta bëjmë si duhet këtë punë pasi nuk kemi studime që dokumentojnë këtë përvojë”.

Shumë viktima të trafikut nuk përjetojnë thjesht një nivel të lartë ankthi, por edhe çrregullime nga stresi post-traumatik. Gjendja e tyre psikologjike është deri diku e ngjashme me atë të veteranëve që kthehen nga beteja, apo e viktimave të luftës.

“Për shembull, në rastin e grave që japin dëshmi në polici, ose kur intervistohen për imigracion, disa nga simptomat e stresit post-traumatik janë vështirësia për t’u përqendruar, vështirësia për të kujtuar elementë të rëndësishëm të përvojës që kaluan. Këta individë mund të duken si dëshmitarë të rremë, por në fakt këto janë pasoja të çrregullimeve që ka shkaktuar stresi”.

Zonja Oram thotë se është e rëndësishme të dihet nëse edhe burrat dhe fëmijët po vuajnë të njëjtat pasoja.

“Mendoj se është shumë e nevojshme të zhvillohen studime mbi fëmijët dhe burrat e trafikuar. Studiuesit duhet të fillojnë të vendosin kontakte me organizata që ofrojnë ndihmë për këta individë në mënyrë që të grumbullojnë fakte mbi këtë situatë”.

Studimi thekson se nuk ka sinjale që trafiku njerëzor po kufizohet. Për këtë arsye, autorët nënvizojnë nevojën për të grumbulluar më shumë të dhëna në mënyrë që të hartohen programe më të efektshme në përgjigje të pasojave fizike dhe psikologjike që shkakton trafiku tek viktimat e tij.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG