Lidhje

Trafiku i narkotikëve dhe refugjatëve


Policia në Gjirokastër po përballet me raste të reja të trafikut te refugjatëve nga Afrika,vendet arabe dhe aziatike. Refugjatët hyjnë ilegalisht në Shqipëri nga kufiri tokësor grek për të udhëtuar më pas drejt vendeve të tjera perëndimore.

Një grup prej 20 refugjatësh u gjet sot në rrethinat e qytetit në gjendje të vështirë shëndetësore për shkak të motit të keq dhe mungesës së ushqimit. Policia e Gjirokastrës i shoqëroi refugjatët në mjediset e policisë për t'u dhënë ndihmën e parë dhe trajtimin ushqimor. Më pas grupi i refugjatëve nga Sudani është kthyer drejt kufirit grek nga ku edhe kishte hyrë në territorin shqiptar.

Policia thotë se afrimi i dimrit po rrit rrezikun për grupet e refugjatëve, të cilët nga mungesa e njohjes së terrenit në mjaft raste përshkojnë zona të rrezikshme natyrore. Një person nga Somalia u gjet pak ditë më parë i pajetë ndërkohë që grupe të tjera emigrantësh kanë rrezikuar të mbyten në ujrat e lumit Drino.

Policia e Gjirokastërs njoftoi edhe për një rast tjetër të bllokimit të narkotikëve në kufi. Një shtetas shqiptar u ndalua me disa dhjetëra kilogramë mariuanë në autoveturën e tij në Pikën e Kakavijës. Policia tha se personi i arrestuar ishte nga Fieri dhe e kishte kultivuar lëndën narkotike në banesën e tij. Për t'i shpëtuar kontrollit ai udhëtonte së bashku me bashkëshorten dhe një fëmijë duke i pohuar në fillim policisë se ishte një familje emigrantësh që jetonte prej vitesh në Greqi.
XS
SM
MD
LG