Lidhje

Trafikimi i refugjatëve në Turqi


“Çdo varkë ka një pasagjer që bën timonierin dhe një person që më dërgon mesazh në WhatsApp çdo 60 sekonda gjatë qëndrimit në det”, thotë një trafikant, i cili indetifikohet me emrin Kareem, ndërkohë që shpjegon proçedurat për të kaluar ilegalisht në Greqi.

Nëse nuk ka asnjë mesazh pas një minute, trafikanti Kareem, merr në telefon policinë turke ose greke, në varësi të vendndodhjes së varkës. Policia vihet në kërkim të varkës për të shpëtuar njerëzit. Por shpesh nuk ia arrijn t’i shpëtojë.

Buzinesi i trafikimit të njerëzve ka marrë një zhvillim të madh në Izmir dhe madje është shndërruar në një ekonomi të veçantë. Trafikantët thonë se mund të përdorin mediat sociale për siguri, por refugjatët thonë se duhet njohur mirë sistemi dhe të pyetet me hollësi rreth trafikantëve.

Planifikimi i udhëtimit

Në një treg në Izmir, refugjatët dhe trafikantët pijnë çaj dhe duhan ndërkohë që planifikojnë udhëtimin. Të gjitha hotelet rrotull janë të zëna. Shumë njerëz flenë në rrugë.

Ata që kanë shkuar për pazar, kthehen të ngarkuar me jelekë shpëtimi, çanta dhe tullumbace ku do të fusin celularët gjatë qëndrimit në varkë. Ndërkohë që njerëzit qarkullojnë në shesh, të gjithë pyesin njëri-tjetrin: “A gjete varkë? Kur do ikësh?”.

Në disa vende udhëtimi është i shkurtër, vetëm 10 kilometra, por njerëzit ngjeshen në gomone duke rrezikuar jetën. Sipas Organizatës Botërore të Emigracionit (IMO), mbi 2760 persona kanë vdekur këtë vit duke u përpjekur të arrijnë Evropën. Kjo është 20% më shumë se vitit i kaluar, ndërkohë që një fluks masiv refugjatësh nga Lindja e Mesme dhe Afrika kërkon të hyjë në Evropë.

Në treg, tensioni ndihet në ajër, dhe refugjatët thonë se shkaku janë aksionet e shpeshta të policisë.

Megjithatë, shumë janë të gëzuar përbrenda. Në një kafene pranë sheshit, një burrë irakian nga Mosuli qesh me të madhe kur e pyesin nëse ka frikë të shkojë me varkë. Ai përgjigjet: “Pas gjithë ç’ka ndodhur, do të kemi frikë ujin?”

Në tavolinën pranë, një grup adoleshentësh gjithashtu qeshin pasi janë të ngazëllyer që do të hipin në varkë në mbrëmje. “Jo vetëm jam i gëzuar, por nuk më besohet,” thotë 19-vjeçari Qusay, i larguar rishtazi nga Siria. “Është si një ëndërr. Po shkoj në Gjermani.”

Katër djemtë thonë se një vit më parë u prish plani i tyre në Aleppo të Sirisë dhe u desh gjithë kjo kohë për të mbledhur mijëra dollarët që duheshin për secilin. Udhëtimi me varkë nga Turqia drejt Greqisë kushton ndërmjet 1350 – 2250 dollarë. Këtu nuk përfshihet kalimi i kufirit tokësor ndërmjet Sirisë dhe Turqisë, ushqimi, strehimi dhe pjesa tjetër e udhëtimit nga Greqia drejt Gjermanisë.

Rreth 3 mijë dollarë konsiderohet çmimi minimal. Kjo shumë është tepër e madhe për familje që kanë jetuar për katër vjet në zona lufte, ose kanë qenë të papunë në kampe refugjatësh.

“Kur gjejmë trafikantin dhe paratë, atëherë ikim”, thotë Qusay, ndërkohë që pi Pepsi.

Informimi

“Na u desh një vit, pasi na duhej të mësonim të gjithë biznesin përpara se të vinim këtu”, thotë kushëriri i tij 15-vjeçar, Kutada.

Të mësuarit e këtij biznesi përfshin gjetjen e personave që kanë bashkëpunuar me trafikantët dhe kanë mbijetuar. Ky proçes ndodh kryesisht në Izmir, ku refugjatët mbledhin paisje dhe presin që trafikantët t’i thërrasin kur bregu të jetë i lirë dhe të mund të nisin varkat. Djemtë qëndrojnë për ditë me radhë përpara se të jenë gati të shkojnë.

Shumica e refugjatëve duhet edhe të gjejnë në Izmir një person që t’i besojnë. Pagesën për trafikantit ja japin këtij personi, që ia jep pastaj trafikantit vetëm kur pasagjerët mbërrijnë të sigurtë në Greqi. Thonë se është një masë parandaluese, që trafikanti mos të largohet me paratë.

“Trafikantët po mashtrojnë njerëzit”, thotë 17-vjeçari Kais, duke mos u shqetësuar se është ulur pranë tre trafikantëve.

Burrat e ulur në tavolinën tjetër thonë se trafikantët kanë krijuar një sistem të tyrin për t’u siguruar se nuk do të ketë mashtrime.

Djemtë nuk e dinë kur do të vijë ora e tyre, pasi janë në pritje të një telefonate.

Ndërsa largohen nga tavolina, Qusay u kujton arsyen e udhëtimit të tyre të rrezikshëm: lufta në Siri që ka marrë qindra mijëra jetë njerëzish dhe ka zhvendosur gjysmën e popullsisë.

Duke marrë çantën në shpinë, Qusay thotë se “kafshët në Siri jetojnë më mirë se njerëzit”.

XS
SM
MD
LG