Lidhje

Trageti në flakë, të paktën një i vdekur


(AP Photo/SKAI TV Station)
(AP Photo/SKAI TV Station)

Roja bregdetare italiane tha se të paktën një person ka vdekur ndërsa vazhdojnë përpjekjet e shpëtimit në një traget që po digjet 80 kilometra në veriperëndim të Korfuzit.

Zyrtarët e rojes bregdetare thonë se kanë gjetur trupin e një personi të cilin po e transportojnë për në Itali.

Qindra udhëtarë kanë mbetur të bllokuar në anije ndërkohë që helikopterët grekë dhe italianë po bëjnë përpjekje për të shpëtuar njerëzit, megjithë erërat e forta dhe detin e trazuar.

Ministria italiane e mbrojtjes tha se 165 persona janë evakuuar deri të dielën në mbrëmje, më shumë se 14 orë pas shpërthimit të zjarrit.

"Do të jetë një natë shumë e vështirë. Një natë në të cilën shpresojmë t'i shpëtojmë të njerëzit në bordin e anijes", tha në Athinë ministri grek i marinës, Miltiadis Varvitsiotis.

Një flotë anijesh të vogla tregtare që lundronin në afërsi formuan një barrierë mbrojtëse rreth tragetit. Anije zjarrfikëse kanë shkuar në vendin e ngjarjes nga të dyja anët e Adriatikut.

Deri tani janë shpëtuar rreth 150 udhëtarë, nga 478 veta në bordin e tragetit Norman Atlantic. Sipas listës së publikuar të udhëtarëve, në traget ndodhen edhe 22 shqiptarë. Ministria e Jashtme e Shqipërisë tha në një komunikatë se numri i tyre mund të jetë edhe më i madh për shkak të ndryshimit të emrit në pasaportë.

Roja bregdetare shqiptare ka dërguar dy anije në vendin e ngjarjes dhe autoritetet e Shqipërisë thonë se janë në kontakt me ato greke dhe italiane.

Zjarri shpërtheu në katin e poshtëm të makiave ndërsa trageti po udhëtonte nga porti perëndimor grek i Patrasit për në portin italian të Ankonës.

XS
SM
MD
LG