Lidhje

Tragjedia japoneze dhe pasojat ekonomike

  • Mil Arcega

Tragjedia japoneze dhe pasojat ekonomike

Tragjedia japoneze dhe pasojat ekonomike

Tregjet e aksioneve në Azi, Evropë dhe në Shtetet e Bashkuara ranë sot ndjeshëm, ndërsa analistët thanë se investitorët janë të shqetësuar nga mundësia e një katastrofe në Japoni. Analistët e tregjeve financiare janë gjithnjë e më të shqetësuar rreth ndikimit ekonomik të tërmetit të së premtes së kaluar, i pasuar nga cunami Ndërkohë dje Banka Qendrore e Japonisë veproi me shpejtësi për të siguruar investitorët se fonde të mjaftueshme do të jenë të disponueshme për të rindërtuar ekonominë e vendit, e dëmtuar nga tërmeti, duke derdhur në të gati 200 miliardë dollarë për të stabilizuar tregjet financiare.

Por dëmi ekonomik i tërmetit më të rëndë i regjistruar ndonjëherë në historinë e Japonisë mund të jetë më i madh se sa ishte menduar fillimisht. Megjithëse ndikimi i plotë nuk do të mësohet për një farë kohe, analistët thonë se mund të duhen vite të tëra për rimëkëmbjen e ekonomisë së tretë më të madhe të botës.

Tërmeti masiv i së premtes së kaluar mund të jetë katastrofa natyrore më e kushtueshme në historinë e Japonisë. Megjithëse përballet me një borxh të madh dhe ekonomi në rënie, Banka Qendrore e Japonisë njoftoi hedhjen e 183 miliardë dollarëve në tregjet financiare për të mbajtur të ulët shkallët e interesit dhe për t’u siguruar që bankat kanë fonde të mjaftueshme për operacione emergjente dhe për rindërtim.

"Banka e Japonisë do të bëjë ç’është e mundur për të siguruar stabilitetin e tregjeve financiare dhe për të vazhduar qarkullimin e mjaftueshëm të fondeve në kesh. Nuk duhet vënë aspak në dyshim se Banka Qendrore dhe bankat komerciale do të punojnë së bashku për të siguruar fondet e nevojshme në kesh".

Por goditja e trefishtë që ka marrë ekonomia e Japonisë, tërmeti masiv, cunami vdekjeprurës dhe kërcënimi për shkrirjen e centraleve bërthamore, mund të ndërlikojë rimëkëmbjen ekonomike.

Shqetësimet rreth ndërprerjes së energjisë në fabrikat japoneze nxitën shitjen në masë të aksioneve në tregun e shkëmbimeve të Tokios, duke ulur indeksin Nikkei në nivelin më të ulët në katër muajt e fundit.

Ekonomisti Takuji Okubo thotë se këto ndërprerje janë veçanërisht problematike në ekonomi të bazuara kryesisht në prodhim, si Japonia:

"Mendoj se kërcënimi më i madh është energjia. Nëse Japonia humbet për rreth një vit 10 deri 20 për qind të energjisë, kjo do të kishte një ndikim tepër negativ për ekonominë".

Kjo është një goditje e rëndë për Japoninë, e cila vitin e kaluar humbi ndaj Kinës, pasi kjo e fundit u bë ekonomia e dytë më e madhe e botës. Analisti i investimeve, Shinichi Ichikawa thotë se i gjithë vendi është prekur:

"Ndikimi është përhapur jo vetëm në pjesën verilindore të Japonisë, por edhe në kryeqytet. Një pjesë e infrastrukturës në Tokio duhet të jetë prekur. Prandaj asnjeri nuk mund ta dijë ndikimin e vërtetë ekonomik të tërmetit".

Njerëzit që i mbijetuan tërmetit e dinë mirë shkallën e tragjedisë. Deri në 10 mijë njerëz mendohet të kenë vdekur. Miliona të tjerë nuk kanë rrymë elektrike.

Në supermarketa, blerësit kërkojnë nëpër raftet e boshatisura për ushqime të domosdoshme.

Dhe në rrugët e Tokios, trafiku është i rallë, ndërsa shoferët presin për të blerë karburant. Forca e tërmetit është e qartë për të gjithë.

Analistët thonë se zhvillimi i vendit ka të ngjarë të bjerë, ndërsa bizneset dhe industria përballen me mungesa energjie dhe qendrat e dëmtuara të transportit. Por në afatin e gjatë, ekonomistët thonë se nevoja për të rindërtuar infrastrukturën dhe qytetet e dëmtuara do ta ndihmojnë Japoninë të rimëkëmbet nga kriza më e rëndë që nga Lufta e Dytë Botërore.


XS
SM
MD
LG