Lidhje

Kopshti i trenave të festave


Kudo shihen zbukurimet për festën e Krishtlindjeve në Shtetet e Bashkuara – dritat janë vënë nëpër çatitë ose në degët e pemëve...babagjyshët e Krishtlindjeve shihen në oborret e shtëpive... dhe kurorat festive në dyert e tyre. Brenda, shumë familje ndërtojnë një tren-lodër që përshkon binarët e vegjël përreth pemës së Krishtlindjeve. Por, për njerëzit në qytetin e Baltimorit të Merilendit, sezoni i festave nuk do të ishte i plotë pa kopshtet e trenave të festave. Njësitë e zjarrfikësve në këtë qytet-port kanë një traditë të gjatë ku shfaqin ekspozita të trenave të vegjël për të rritur gjallërinë e festave në komunitet.

Parku i lojrave, ekspozitat dhe vargjet e gjata të trenave të vegjël që kalojnë nëpër shinat e vogla tërheqin vizitorët e të gjitha moshave. Terry Scoggins erdhi me gruan dhe fëmijët e tij.

“Kur isha i vogël, vija me prindërit. Më pëlqejnë shumë trenat e vegjël, dhe më pëlqen ambjenti dhe se sa i vërtetë duket. Të bën të ndihesh si fëmij i vogël.”

Dhoma e pritjes e repartit të zjarrfikësve në rrugën “Wise” në periferi të qytetit Baltimor shndërrohet në një kopsht me trena nga fillim i dhjetorit deri në fillim të janarit. Zjarrfikësi Bob Francis është zëdhënësi i kompanisë.

“Kopshti i trenave përmban qindra lodra, si për shembull makina që lëvizin, ose vinça ndërtimi duke gërmuar, ose fëmijë duke u lëkundur në lisharëse. Ne kemi një skenë karnevali të cilën një zotëri e ndërtoi në shtëpinë e tij dhe na e ka dhuruar që ta përdorim këtij viti.”

Kopshtet e trenave për festat janë një traditë e Baltimorit, sidomos në qendrat e zjarrfikësve, që nga fundi i viteve 1800. Meqënëse Baltimori ishte vendi i parë ku u hap shërbimi hekurudhor në Amerikë, zoti Francis thotë se kjo është arsyeja e magjepjes me trenat lodra.

“Patjetër që hekurudha e Baltimorit dhe Ohajos kishte një ndikim të madh në këtë zonë. Për shkak të historisë së Baltimorit me trenat, jam i sigurt se kjo është arsyeja pse pëlqimi i tyre është aq i fortë në të këtë zonë.”

Edhe pse ekspozita ndryshon nga viti në vit, kopshti i trenave gjithmonë përfshin simbole që përfaqësojnë Baltimorin.

“Këtë vit, për shembull, kemi fabrikën e çelikut në cepin ku ndodhet treni, hekurudhën Back River, e cila është një hekurudhë në të vërtetë.”

Nëntë vjeçarja Abigail Scoggins ka ardhur këtu që kur ishte dy vjeç. Asaj i pëlqen më shumë pjesa e cirkut këtij viti.

“Për shkak të mënyrës se si duket, sikur je me të vërtetë në një cirk me një turmë njerëzish.”

Zoti Francis thotë se realizmi dhe origjinaliteti është ajo që përpiqen të arrijnë ndërtuesit vullnetarë.

“Normalisht treni i Rudolfit, dhe treni i Krishtlindjeve janë më shumë fantazi por ndërtesat dhe trenat janë ndërtuar bazuar në realitet, por në shkallë më të vogël.”

Ai llogarit se rreth 30 deri në 50 mijë vizitorë shkojnë atje çdo vit.

“Zakonisht kur keni të bëni me zjarrfikës, do të thotë se nuk është dita më e mirë e jetës tuaj. Kjo është një mundësi për ne që të angazhohemi në komunitet gjatë një kohe të gëzuar.”

Kopshti i trenave financohet vetëm nga kontributet e njerëzve. Vizitorët shpresojnë që kjo traditë festash të vazhdojë për breza me radhë.
XS
SM
MD
LG