Lidhje

Indi: Treni që del nga shinat shkakton mbi 80 të vrarë

  • Zëri Amerikës

Policia në Indinë lindore tha se rebelë të dyshuar maoistë nxorën nga shinat një tren pasagjerësh, që u përplas me një tjetër tren, duke vrarë të paktën 80 persona dhe duke plagosur mbi 200 të tjerë. Shefi i policisë i Bengalit Perëndimor tha se ishte e qartë që këtë sabotim e kryen maoistët në trenin ekspres, që po shkonte nga qyteti verilindor i Kalkutës për në Mumbai. Shefi i policisë tha se në vendin ku ndodhi përplasja ishin gjetur pankarta, ku thuhej se përgjegjësinë për sulmin e merrte një grup i mbështetur nga maoistët, i quajtur “Komiteti i Popullit kundër Mizorive të Policisë”, por një zëdhënës i grupit më vonë e mohoi përfshirjen në krim. Autoritetet po hetojnë për shkaqet e daljes së trenit nga shinat. Ministri i Brendshëm indian tha se duket që një pjesë e shinave ishte hequr nga traseja, por se zyrtarët nuk mund të përcaktonin në se ka patur shpërthim, siç sugjerohej në njoftime të mëparshme. Zyrtarët thanë se 13 vagona të trenit dolën jashtë shinave dhe u përplasën me një tren mallrash, që po shkonte në drejtim të kundërt, pranë një qyteti që njihet si bazë e maoistëve. Autoritetet po hetojnë shkaqet e këtij incidenti, ndërsa punonjësit e shpëtimit po përpiqen të nxjerrin pasagjerët nga rrënojat e trenit.

XS
SM
MD
LG