Lidhje

Trajtimi i hershëm kufizon përhapjen e virusit HIV

  • Zëri Amerikës

Trajtimi i hershëm kufizon përhapjen e virusit HIV

Trajtimi i hershëm kufizon përhapjen e virusit HIV

Njerëzit e infektuar me virusin HIV, sa më shpejt që ta fillojnë trajtimin aq më mirë për ta dhe për të tjerët. Një studim i ri tregon se trajtimi i hershëm redukton shumë rrezikun që partneri i një personi të infektuar të marrë virusin HIV që shkakton sëmundjen e Sidës. Doktor Antoni Fauçi punon për Institutet Kombëtare Amerikane të Shëndetësisë të cilat financuan studimin e ri mbi trajtimin e virusit HIV.

"Shumë studime kanë treguar se sa më herët të fillojë trajtimi, aq më i efektshëm mund të jetë ai për personin e infektuar. Ky studim tregon se trajtimi i hershëm ndihmon në mos-transmetimin e virusit tek partneri”.

Studiuesit nuk mund të thonë nëse rezultatet do të ishin të njëjta për homoseksualët, meqenëse shumica e çifteve që morën pjesë në studim ishin heteroseksualë. Studimi u krye në Botsvanë, Brazil, Indi, Kenia, Malaui, Afrikën e Jugut, Tailandë, Shtetet e Bashkuara dhe Zimbabve. Aty u përfshinë gati dy mijë çifte të ndarë në dy grupe.

Në njërin grup, burri apo gruaja e infektuar merrnin një kombinim tre ilaçesh anti-retrovirale menjëherë pas diagnostikimit me virusin HIV. Në grupin tjetër, partnerët e infektuar e filluan trajtimin e ilaçeve pas shfaqjes së simptomave të Sidës. Studiuesit thonë se të dy grupet morën kujdes dhe këshillim të njëjtë për virusin HIV.

Studimi filloi në vitin 2005 dhe do të zgjaste deri në vitin 2015, por studiuesit e ndaluan atë më herët sepse rezultatet ishin të qarta. Vetëm një rast infektimi u njoftua nga çiftet që e kishin filluar trajtimin menjëherë. Doktor Fauçi thotë se trajtimi i hershëm çoi në pakësimin me 96 për qind të përhapjes së virusit HIV tek partnerët e painfektuar.

"Kjo është një provë e fuqishme që do të ndikojë tek formulimi i udhëzimeve dhe politikave globale nga organizatat ndërkombëtare që ndihmojnë me ilaçe vendet e botës në zhvillim”.

Studimi tregon vlerën e testimit dhe trajtimit të virusit HIV para se një person të sëmuret deri në atë shkallë sa të ketë nevojë për ndihmën e mjekut. Por në shumë vende, buxheti për shëndetin publik është i kufizuar. Në Afrikën nën-sahariane, rajoni më i prekur nga Sida në botë, vetëm një e treta e atyre që kanë nevojë për tajtim arrijnë ta sigurojnë atë.

Ilaçet anti-retrovirale e mbajnë virusin nën kontroll. Kur njerëzit e filojnë trajtimin, ata duhet ta vazhdojnë atë çdo ditë gjatë gjithë jetës së tyre.

XS
SM
MD
LG