Lidhje

Trajtimi i kancerit të mushkërive

  • Carol Pearson

Rreth një milion njerëz vdesin çdo vit nga kanceri i mushkërive dhe Organizata Botërore e Shëndetsisë pret që ky numër të shtohet me shtimin e numrit të njerëzve që pijnë duhan. Siç njofton korespondentja e Zërit të Amerikës Carol Pearson, hulumtuesit mund të kenë bërë një hap të rëndësishëm drejt kontrollit të sëmundjes dhe zgjatjes së jetëve të njerëzve.

Pirja e duhanit është shkaku i shumicës së kancerëve të mushkërive. Studimet kanë vërtetuar lidhjen e drejtpërdrejtë, ndërkohë që studime të tjera tregojnë se sëmundja mund të shkaktohet edhe nga thithja e tymit të cigarres së dikujt tjetër.

Rreth një milion njerëz vdesin nga kanceri i mushkërive çdo vit. Gati 600 mijë të tjerë vdesin nga tymi i cigarres së dikujt tjetër. Deri kohët e fundit, trajtimi që i pacientëve bëhej përmes kimioterapisë, e cila jo gjithmonë ishte e efektshme. Hulumtuesit janë përpjekur të gjejnë trajtime më të mira për të zvogëluar tumorët pa prekur indet normale ose për të shmangur efektet negative anësore të kimioterapisë.

Një trajtim i ri varet nga një test për të identifikuar gjenet e dëmtuara të quajtura onkogjene që lejojnë rritjen dhe përhapjen e qelizave kanceroze.
Onkologu Mark Kris nga Qendra për Kancerin Memorial Sloan Kettering udhëhoqi një studim që analizoi rolin që onkogjenet luajnë në përhapjen e kancerit.

“Ky gjen i dëmtuar prodhon disa lloj proteinash, të cilat janë kritike për shtimin e qelizave kanceroze.”

Në studim u përfshin një mijë pacientë me kancer të avancuar të mushkërive dhe u analizuan tumorë për 10 mutacione të ndryshme që nxisin përhapjen e sëmundjes.

“Objektivi ynë ishte të analizonim tumorët e pacientëve në momentin e diagnostikimit. Ne njohim 10 nga këto onkogjenë që e dimë se përbëjnë bazën e kancerit të mushkërive. Ne ishim në gjendje të izolonim një prej tyre në 64 për qind të pacientëve dhe për 28 për qind të pacientëve ne përddorëm një terapi të bazuar në këtë informacion.”

Identifikimi i këtyre gjeneve të dëmtuara do t’i lejonte mjekët ta përzgjedhin më mirë trajtimin. Dr. Kris tha se testimi është i shpejtë, i saktë dhe nuk kushton shumë. Rezultatet treguan se pacientët, të cilët u trajtuan me ilaçe që godisnin onkogjenët që luanin kryesor për përhapjen e kancerit, jetuan mesatarisht një vit më gjatë se ata që morën kimioterapi standarte. Dr Kris thotë se rezultatet e studimit do të ndihmojnë për trajtimin nga çdo lloj kanceri, ndërsa mjekët mësojnë më shumë rreth gjeneve që përhapin sëmundjen.

Studimi është botuar në Revistën e Shoqatës Mjekësore Amerikane, JAMA.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG