Lidhje

Tërheqja e peshave të rënda me traktorë

  • Mike Osborne

Amerikanët njihen për kthimin e thuajse të çdo gjëje në garë. Përshembull, tërheqja me traktor, është transformuar nga një garë e fermerëve për të përcaktuar se kush ka kuajt apo traktorët më të fuqishëm, në një sport disa miliona dollarësh, për të parë se cila makinë mund të tëheqë në distancën më të largët një peshë të rendë. Mike Osborne i Zërit të Amerikës ishte në Chapel Hill të shtetit Tennessee në garën vjetore të jugut amerikan në këtë sport.

Nëse do të marrësh pjesë në një garë të tillë, duhet të dish disa gjëra. Fillimisht, nuk janë vetëm traktorët që konkurojnë. Tërheqja me kamionë është shtuar së fundi. E dyta është se këto makina nuk ngjasojnë thuajse fare me traktorët. Kjo makinë konsiderohet si kamion ndërsa kjo si traktor.
Ndërkohë që gara vazhdon, spektatorët argëtohen në zhurmën shurdhuese mes shtëllungave të tymit.

“Kam ardhur për herë të parë vitin e kaluar dhe u kënaqa”.

“Vij që nga viti 1977 dhe nuk humbas asnjë garë.”

“Na pëlqen të shohim shtëllungat e tymit, del në pah fuqia e këtyre makinave.”


Fuqia matet me paratë e shpenzuara për të transportuar këto makina monstra për të marrë pjesë në gara në mbarë vendin. Por siç tregon veterani i këtij sporti Jim Martell, çmimi për fituesit është shumë i vogël.

“Këta traktorë kushtojnë nga 250 deri 350 mijë dollarë. Më së miri fitojmë rreth 2 mijë dollarë në natë. Biznesi nuk është fitimprurës. Mezi del barazim.”

Por ekipet konkuruese sponsorizohen nga biznesmenë apo fermerë të pasur. Martell thotë se komuniteti është i vogël dhe i ngushtë.

“Miqësia mes tifozëve dhe drejtuesve të traktorëve është e madhe. Është sport i veçantë dhe mjaft tërheqës.”

Shoferët përdorin motorët e fuqishëm për të tërhequr deri në 29 tonë në një pistë me baltë. Gjatë garës, pesha e ngarkesës zhvendoset për ta bërë më të vështirë tërheqjen. Kush e tërheq ngarkesën në distancën më të madhe, fiton garën.

Gjatë vitit zhvillohen shumë gara në mbarë vendin dhe popullariteti i sportit po shtohet në Australi dhe Evropë. Kampionati evropian do të zhvillohet në Gjermani në muajin shtator.
XS
SM
MD
LG