Lidhje

Shqipëri: Transparency International kërkon fillimin e reformës zgjedhore


Shqipëri: Transparency International kërkon fillimin e reformës zgjedhore
Shqipëri: Transparency International kërkon fillimin e reformës zgjedhore

Organizata "Transparency International - Albania" u bëri sot thirrje partive kryesore politike që të përqendrojnë vëmendjen tek reforma zgjedhore, sepse zgjedhjet vendore po afrohen. Organizata e njohur antikorrupsion deklaroi se Bashkimi Europian pret që zgjedhjet e ardhshme vendore në Shqipëri të jenë dinjitoze për një vend që aspiron të antarësohet në të. Por partitë politike - sipas TIA - po humbasin mjaft kohë me akuza të ndërsjellta për korrupsion dhe nuk po përmbushin kërkesën që reforma zgjedhore të kryhet 6 muaj para datës së dekretuar 8 maj kur do të mbahen zgjedhjet.

Përfaqësuesi i TIA, Endri Shabani, tha se reforma 6 muaj para zgjedhjeve është e nevojshme për transparencën dhe cilësinë e procesit zgjedhor, ndaj ai kërkoi fokusimin e partive vetëm tek reforma zgjedhore. “TIA kërkon nga partitë politike: Të iniciojnë sa më shpejt dialogun dhe bashkëpunimin për reformën zgjedhore. Të japin shembullin e tyre të bashkëpunimit me organet e drejtësisë duke hequr dorë nga imuniteti parlamentar. Të depozitojnë në Prokurori çdo informacion për shkelje të ligjit, pasi ky është edhe një detyrim ligjor” - tha zoti Shabani.


TIA deklaroi se sistemi proporcional rajonal që u zbatua në zgjedhjet e kaluara uli ndjeshëm numrin e partive në parlament, dhe tani skena politike zotërohet nga dy parti, por mungojnë zra alternativë, një pasojë që nevojitet të mbahet parasysh gjatë reformës zgjedhore. TIA vëren me shqetësim se po partitë politike zëvendësojnë institucionet e drejtësisë me akuzat e ndërsjellta për korrupsion, dhe se ato duhet të bëjnë veprime konkrete, nëse duan vërtet të luftojë korrupsionin. Një veprim konkret, sipas saj, mund t ishte heqja e imunitetit parlamentar dhe tjetra dorëzimi i cdo dokumenti kriminal në prokurori.


Partitë kryesore po shkëmbejnë akuza prej disa javësh për korrupsion dhe abuzime me pushtetin, duke bllokuar gjithë hapësirat e veprimtarisë së tyre politike, të mediave radio-televizive dhe faqet e para të shtypit.

XS
SM
MD
LG