Lidhje

"TI" nxit drejtësinë të zbulojë të implikuarit në kontrabandën e naftës


"TI" nxit drejtësinë të zbulojë të implikuarit në kontrabandën e naftës
"TI" nxit drejtësinë të zbulojë të implikuarit në kontrabandën e naftës

Organizata Transparency International vlerësoi arrestimet e tregtarëve të naftës si përpjekje për të goditur trafiqet dhe për të vendosur rregull në biznesin e hidrokarbureve, ku çmimet kanë dalë jashtë çdo kontrolli dhe garancie mbi cilësinë.

Përfaqësuesi i kësaj organizate në Shqipëri, Lutfi Dervishi, deklaroi për “Zërin e Amerikës” se kontrabanda që dyshohet se bënin të pandehurit është revoltuese për shumë arësye. Sipas tij, kjo skemë kontrabande tregon se një seri institucionesh shtetërore nuk funksionojnë, dhe sektori i antikrimit ekonomik të prokurorisë ka shumë punë për të bërë.

Zoti Dervishi tha se një hetim gjyqësor i thellë duhet të nxjerrë në dritë shkaqet se pse nuk u kapën këta kontrabandistë nga inspektoriati i cilësisë së hidrokarbureve, pse nuk u zbuluan ata nga forcat e rendit publik, nga tatimet, nga doganat, dhe nga institute të tjera të kësaj fushe apo nga organizata të tjera biznesi.

Përfaqësuesi i Transparency International Albania thotë se hetimi është e nevojshme të përfshijë jo vetëm veprimet e këtyre personave të arrestuar, por edhe të atyre që i favorizuan në çdo hap. Po ashtu, në sferën e këtij e hetimi, sipas Transparency International, janë abuzimet e konsiderueshme financiare me çmimet e karburanteve, mashtrimi i klientëve, si edhe shkatërrimi i makinave dhe mjedisit nga nafta me cilësi të keqe.

Nga ana tjetër, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë e Tiranës shprehu shqetësimin se tregtarët e kësaj fushe po trajtohen në mënyrë të pabarabartë dhe se kjo valë arrestimesh po dëmton imazhin e biznesit shqiptar. Në deklaratën e kësaj organizate theksohet se arrestimet e disa sipërmarrësve vendas krijuan një situatë paniku dhe pasigurie, dhe se masat e arrestit nuk janë dhënë sipas ligjit, ndërkohë që prokuroria po dekonspiron hetimet publikisht, duke shkatërruar imazhin e bizneseve, edhe pse me ligj prezumohen të pafajshëm.

Reagimet e këtyre organizatave erdhën sot pasi Gjykata e Tiranës mbajti sot në arrest burgimi pa afat 12 të arrestuarit e dyshuar për kontrabandë me naftën Vergin. Gjykata i mori masat e arrestit pasi dëgjoi akuzat e Prokurorisë ndaj tyre; “mashtrim me pasoja të rënda”, “shpërdorim detyre”, “falsifikim dokumentesh” dhe “pastrim të produkteve të veprës penale”.

Grupi i të arrestuarve dy ditë më parë përfshin biznesmenë dhe administratorë të dy kompanive, punonjës tatimorë, doganierë dhe katër shoferë të automjeteve të rënda, ndërsa një person tjetër është shpallur në kërkim nga policia. Prokuroria e bazoi akuzën në të dhënat se dy kompani të tregtimit të naftës blinin naftën bruto të vendit nga kompania ARMO dhe e shitnin në tregun e brendshëm si naftë importi e cilësisë së parë. Disa anije bënin lëvizje boshe në det si mashtrim për eksportin, ndërsa këto veprime mbuloheshin nga punonjës të doganave e tatimeve.

Të ngjashme

XS
SM
MD
LG