Lidhje

Trashëgimia e arkitektit Frank Lloyd Wright


Taliesin West
Taliesin West
Frank Lloyd Wright, i cili vdiq në vitin 1959, njihet si babai i arkitekturës moderne amerikane. Dy ndërtime historike në shtetin e Arizonës tregojnë shtrirjen e madhe të projekteve të tij. Një është Taliesin West – shtëpia dimërore e zotit Wright dhe shkolla e arkitekturës. Një gjysmë ore larg saj, ndodhet një hotel i ndikuar nga stili i tij plot detaje luksoze.

Ndërtesat në Taliesin West pasqyrojnë shkretëtirën përreth, nëpërmjet shkëmbinjve, hijeve dramatike dhe kontrastit me ujin.

Projekti novator i arkitektit Wright ende frymëzon vizitorët.

“Ai është amerikan i vërtetë dhe donte të na ndante nga kopjimi i të tjerëve,” thotë një turist.

“Kam një mbesë dhe një nip – të dy arkitektë të rinj. Dhe ata tërhiqen nga ajo që është krijuar para tyre,” shprehet një vizitore.

Fondacioni Frank Lloyd Wright thotë se për të ruajtur këtë ndërtesë të historisë kombëtare duhen mbi një milion dollarë çdo vit.

Taliesin West konsiderohet si “kryevepër shkretëtire.” Fondacioni Frank Lloyd Wright, që kujdeset për të, mbështet gjithashtu Shkollën e Arkitekturës. Studentët përdorin të njëjtën sallë ku vetë Wright projektoi muzeun Guggenheim të Nju Jorkut.

Nxënësit e tij gjysmë shekulli më parë ndihmuan në ndërtimin e Taliesin West. Ndërsa përpjekjet e ruajtjes vazhdojnë, Drejtori i Ruajtjes së Monumenteve, Fred Prozillo thotë se është koha për një rinovim të madh:

“Taliesin West është ndërtuar gjatë viteve ’30 dhe ‘40, në mes të shkretëtirës, nga studentët të cilët mësonin nga përvoja – me moton e famshme e zotit Wright, të mësosh hidraulikën, të mësosh punën elektrike duke i bërë instalimet vetë. Disa prej këtyre sistemeve po arrijnë fundin e jetëgjatësisë së tyre,” thotë ai.

Zoti Prozillo thotë se rinovimet do t’i qëndrojnë besnikë origjinalit, përveç njërit.

“Ai e përdori këtë vend si një laborator, dhe ky ishte gjithmonë në ndryshim e sipër. Ai shpesh u thoshte studentëve: “E pra, unë mendoj se ne duhet ta ndryshojmë këtë, le ta heqim këtë mur.” Ne nuk e vazhdojmë atë traditë të ndryshimit dhe të heqjes së gjërave."

Gjysmë ore larg nga Taliesin West ndodhet një resort historik që fondacioni e quan ndër shembujt më të mirë të një hoteli luksoz me një stil të ndikuar nga ai i Wright-it. Hoteli Arizona Biltmore u projektua nga njëri prej studentëve të tij. Arkitekti luajti rolin e një konsulenti. Wright projektoi vetë këtë mural.

Drejtorja e Marrëdhënieve me Publikun Sarah Moran thotë se një tjetër kujtesë e ndikimit të Wright-it është Dhoma Acteke:

“Këtu mund të shohësh tavanin e praruar, detajet e bakrit. Jemi përpjekur të ruajmë pamjen e kësaj dhome siç ishte atëherë.”

Zonja Moran thotë se çdo ndërtesë e bukur historike kthehet në një kapsulë kohore. Dhe ia vlen të ruhet.
XS
SM
MD
LG