Lidhje

Procedura të reja mjekësore ndihmojnë viktimat e traumave

  • Elizabeth Lee

Mbas ndryshimeve, mundësitë e një pacienti për mbijetesë në një qendër traumash janë rritur deri në 25 përqind

Ndërsa debati për përforcimin e ligjeve të armëmbajtjes vazhdon të jetë i nxehtë këtu në Shtetet e Bashkuara, një statistikë që ka lidhje me të jep të dhëna pozitive. Sipas mjekëve të një qendre për mjekimin e traumave në Kaliforni, spitalet në shumë shtete po përballen me një numër më të vogël të plagosurish nga armët e zjarrit. Ndërsa për ata që vuajnë nga plagët ose trauma të tjera të rënda, mjekët po shtojnë mundësitë e tyre për të mbijetuar.

Në një prej qendrave më të mëdha për mjekimin e traumave në Shtetet e Bashkuara, një ekip mjekësh e doktorësh të specialiteteve të ndryshme po punojnë me shpejtësi për t’i shpëtuar jetën një 60 vjeçari, i cili ka pësuar disa goditje me thikë. Dr. Peep Talving është mjeku roje:

“Kur po mbyllte dyqanin, ndodhi një vjedhje dhe ai u godit me thikë. Ai ka 6 goditje thikash në pjesën e kraharorit, një në bark dhe dy në qafë”.

Kur dikush është i goditur rëndë, aktivizohen pjestarët e ekipit të traumave.

“Çdokush në qendrën tonë pritet që për pesë minuta të shkojë në sallën e urgjencave. Kjo do të thotë se ata janë atje përpara se të mbërrijë pacienti. Çdokush ka një detyrë të caktuar”.

Doktori Demetrios Demetriades, drejtor i shërbimeve të traumave, thotë se kjo mënyrë e të trajtuarit të pacientëve në një qendër traumash ka ulur nivelin e vdekjeve nga traumat në më pak se 2 përqind.

Mënyra të tjera të përparuara kanë rritur përqindjen e të mbijetuarëve. Një prej tyre është ndryshimi – nga përpjekja për të stabilizuar gjendjen e pacientit në vendngjarje nga ekipi i ndihmës së shpejtë - në transportin e tij urgjent në spital.

“Nuk duhet shpenzuar kohë e vlefshme në përpjekje për të stabilizuar pacientin. Ai duhet çuar sa më shpejt në qendrën e traumave”.

“Zakonisht me traumat e thella, pasi ato mund të jenë dëmtime vaskulare në pjesën e kraharorit, nuk ka mënyrë tjetër përveç operacionit për të ndërprerë gjakderdhjen”.

Ky është edhe rasti i të moshuarit të goditur me thikë. Dr. Talving e operoi atë për të ndërprerë gjakderdhjen e brendshme.

Koncepti i dërgimit të menjëhershëm të pacientit në spital është arsyeja që 18 vjeçari Juan Gallardo i mbijetoi një plage me armë zjari.

“Ky pacient mori plagë me armë zjarri në zemër dhe mushkëri. 20 vite më parë ai do të kishte vdekur”.

Por mbas ndërhyrjes kirurgjikale Gallardo u rikthye në shtëpi dy javë mbas goditjes me armë zjarri.

“Kam vendosur të shkojë në shkollë dhe në kishë”.

Një tjetër ndryshim është edhe “përzgjedhja” e operacioneve për pacientët me plagë në bark nga armë zjarri, kryesisht kur nuk janë në organet jetësore. Mos operimi pakëson komplikacionet pas ndërhyrjes kirurgjikale.

Gjithashtu një prej ndryshimeve është një mësim i përftuar nga zonat e luftës në Irak e Afganistan- në vend që t’u jepet pacientëve të goditur si zakonisht një sasi e madhe intravenoze me lëngje si kripëra.

“Ne u japim pacientëve produkte të gjakut. Ne i kemi ndaluar të gjitha llojet e lëngjeve, japim produkte të freskëta gjaku, dhe kjo ka sjellë një ndryshim të ndjeshëm”.

Ndryshime si këto kanë përmirësuar mundësitë e një pacienti për mbijetesë në një qendrër traumatike deri në 25 përqind. Ndërsa i moshuari që u godit me thikë, pritet të shërohet plotësisht.
XS
SM
MD
LG