Lidhje

Francë, përfundojnë pa arrestime trazirat në Amiens


france ze

france ze

Një lagje e Francës veriore u përfshi nga trazirat pas disa javë tensionesh. Departamenti i policisë në Amiens thotë se të paktën 16 policë janë plagosur nga trazirat që përfunduan sot.

Dhjetra të rinj të përfshirë në trazira, nxirrnin motoristët nga automjetet duke ua vjedhur ato. Gjithashtu, ata dogjën një shkollë dhe një qendër rinore. Në kulmin e konfrontimeve, 150 policë specialë, të autoriteteve vendase dhe federale u përballën me të rinjtë në të gjithë lagjen. Nuk ka pasur arrestime.

Kryetari i bashkisë së qytetit Amiens, Gilles Dumailly i tha rrjetit televiziv francez BFM se tensionet kishin disa javë që vazhdonin ndërmjet policisë dhe banorëve të varfër. Policia tha se në trazirat që filluan dje rreth orës 9 të mbrëmjes u përfshinë rreth njëqind të rinj. Ato morën fund sot herët në mëngjes pas arritjes së përforcimeve.

Një banor me emrin Hakim tha se nuk i pëlqente që komuniteti i tij po damkosej për shkak të veprimeve të disa të rinjve.

"Sigurisht jam i zemëruar. Nuk është mirë që gjithmonë fajësojnë të rinjtë, por jo të gjithë të rinjtë janë njësoj. Nuk mund të të fajësohet një popullatë e tërë për pesë apo gjashtë fëmijë. Kjo nuk është normale”.

Ende nuk është e qartë se çfarë i shkaktoi trazirat, por gjatë javës së kaluar ka pasur konfrontime të vogla me policinë. Mes të tjerash policia ndaloi një motorist në trafik dhe disa banorë mendojnë se ajo u soll dhunshëm pa qenë nevoja.
XS
SM
MD
LG