Lidhje

Trazirat në rajonin e Kaukazeve


Trazirat në rajonin e Kaukazeve
Trazirat në rajonin e Kaukazeve

Abzulit Shauxalov kishte një prej punëve më të rrezikshme në Rusi. Ai ishte polic në rajonin e trazuar të Kaukazit në Rusinë jugore. Gati çdo javë, kryengritësit ekstremistë islamikë sulmonin policinë dhe zyrtarët lokalë në Kaukaz.

Abuzlit Shauxalov zhytet në divanin e tij të rehatshëm dhe merr frymë thellë për të qetësuar rrahjet e shpeshta të zemrës. Ai dridhet i tëri dhe është mbuluar në djersë. Me ndihmën e patericave, ai ka ecur vetëm 2 metra në dhomën e pritjes.

Shauxalov 31 vjeçar, ish polic, shërbente në një postbllok afër shtëpisë së tij në Karabulak, vetëm 20 kilometra larg kryeqytetit të Ingushetisë, Magas, kur dikush e qëlloi në kurriz. Atë ditë ai mbushi 28 vjeç.

"Rashë në tokë dhe më pas e ndjeva se nuk mund të lëvizja këmbët".

Shauxalov dhe kolegët e tij janë viktima të dhunës së militantëve islamikë, e cila ka shkaktuar vrasjen e 400 policëve gjatë 5 vjetëve të fundit. Kjo revoltë përfshiu kryetitujt e gazetave në botë para 2 javësh, kur, sipas policisë, një i ri nga Kaukazi aktivizoi një bombë në një aeroport të Moskës, duke vrarë e plagosur gjithsejt 200 njerëz.

Në Ingusheti, një prej zonave të Kaukazit të goditura më rëndë, sipas shefit të organizatës ingushe për të drejtat e njeriut, Magomed Mutsolgov, policia është objektivi kryesor.

"Një kushëriri im polic u vra vitet e fundit ndërsa priste gruan në makinë bashkë me foshnjen e tij 6 muajshe. Kur e shoqja u kthye te makina pasi kishte blerë disa ilaçe, ajo pa të shoqin të mbuluar në gjak. Gjendja këtu është jashtë kontrollit".

Vëllai i madh i Abuzlit është gjithashtu polic.

"U them njerëzve të dalin jashtë sa më pak që të jetë e mundur. Kam frikë për familjen time. Unë fle në një dhomë më vete, sepse nëse dikush qëllon mbi mua, të paktën nuk vrasin pjesëtarë të familjes time".

Abuzlit, i cili tani është invalid si pasojë e plagosjes në kurriz, thotë se beson në misionin e oficerëve të policisë.

"Ёshtë një punë e rrezikshme, por nëse unë nuk e bëj, kush do ta bëjë atë? Kjo është përgjegjësia ime".

Arsyet financiare i detyrojnë vëllezërit Shauxalov dhe kolegët e tyre që të rrezikojnë jetën. Rrogat e policëve janë të ulëta, rreth 230 dollarë në muaj, por Ingushetia është një prej republikave më të varfëra në Rusi, me një shkallë papunësie prej 50 për qind. Për shumë njerëz, revolja, fletëhyrja e punës dhe uniforma janë të vetmet alternativa punësimi.

Forcat ruse të sigurimit u përgjigjen sulmeve kundër policisë dhe zyrtarëve të tjerë, duke kryer operacione speciale në qytete dhe fshatra në mbarë Kaukazet.

Siç shpjegon aktivisti i të drejtave të njeriut Mutsolgov, ata veprojnë në bazë të informacioneve të zbulimit, rrethojnë rrugët dhe hapin zjarr kundër kujtdo të dyshuari të momentit.

Megjithë dhunën e vazhdueshme, udhëheqësi i Ingushetisë, Yunus-Bek Yevkurov beson se gjendja po përmirësohet.

Kohët e fundit, ai u tha gazetarëve të huaj se aktet terroriste janë pakësuar, megjithatë ai nuk mund të shpallë fitoren. Ai tha se ka në plan të marrë në punë edhe 2,000 policë të tjerë.

Në muajin gusht, u njoftua një moratorium i përkohshëm për vrasjen e oficerëve të policisë nga krahu ingush i Emirateve Kaukaze, grup rajonal për kryengritjen islamike.

Në faqen elektronike të këtij grupi, moratoriumi quhej: "Jo sepse ne nuk kemi fuqinë t’i vrasim ata në shtëpitë e tyre, por sepse shpresojmë se ata do të marrin në konsiderate qëndrimin tonë dhe do të tregojnë mirëkuptim".

Në vitin 2009, militantët islamikë vranë 75 policë në këtë republikë të vogël. Vitin e kaluar, ky numër ra në 30.

Por pas statistikave dhe prirjeve pozitive, fshihen jetë të shkatërruara. Për vëllezërit Shauxalov dhe qindra kolegë të tyre policë, çfarëdo që të ndodhë, është tepër vonë.

XS
SM
MD
LG