Lidhje

Tre anëtare të Kongresit gjejnë mbështetje tek njëra - tjetra


Tre anëtare të Kongresit gjejnë mbështetje tek njëra - tjetra
Tre anëtare të Kongresit gjejnë mbështetje tek njëra - tjetra

Dhoma e Përfaqësuesve e Kongresit amerikan ka 430 anëtarë, por vetëm 73 prej tyre janë gra. Shumë prej tyre janë larguar nga qytetet e tyre ku kanë familjet dhe miqtë, për të përfaqësuar qarqet e tyre në Kongres.

Tre prej tyre jetojnë bashkë dhe kanë të përbashkët jo vetëm karrierën në politikë, por edhe faktin që të treja kanë familje dhe janë nëna.

Është ora tetë në mbrëmje fundi i një dite intensive në shtëpinë ku banojnë demokratet Kerolin Malloni, Melisa Bin dhe Debi Uaserman Shulc, pranë Kapitolit.

Për pesë vjet, tre gratë kanë jetuar në një shtëpi, ndërsa shërbejnë në një nga karrierat më të fuqishme dhe intensive në Uashington. Shtëpia është e Kerolin Mallonit, anëtare e Kongresit që nga viti 1993. Ajo e bleu pasi jetoi vetëm në një apartament për më shumë se një dekadë. Ajo thotë:

“Kur e bleva shtëpinë mendova se doja të isha si baballarët e kombit. Kur u zgjodhën në fillim, ata jetonin në shtëpi të përbashkëta dhe mblidheshin për darkë dhe diskutonin. Kështu që unë doja dy kolege me të cilat kisha përputhje dhe gjeta Debi Uaserman Shulcin e Floridës nga Jugu, dhe Melisa Bin nga perëndimi, nga Ilinoi dhe unë jam nga Lindja, Nju Jork kështu që ne vijmë nga pjesë të ndryshme të vendit, por ne ishim të treja nëna, kishim qenë të zgjedhura në detyra dhe kemi shumë gjëra të përbashkëta”.

Këto anëtare të Kongresit punojnë dhe jetojnë në Uashington gjatë javës dhe shkojnë në shtëpitë e tyre në fundjavë. Melisa Bin dhe Debi Uaserman Shulc janë të martuara dhe me fëmijë. Karolin Malloni i ka fëmijët e rritur. Uaserman Shulc thotë se gjëja më pozitive është miqësia dhe një mjedis i ngrohtë që ajo gjen në fund të ditës.

“Ky është një qytet i vështirë dhe më pëlqen të kthehem në shtëpi ku ka dy njerëz të cilat i kuptojnë vështirësitë e mia në punë, ose familje dhe të kesh dy shoqe me të cilash mund të ndash mendimet”.

Në vitin 2007, Uaserman Shulc e kuptoi sa e rëndësishme ishte që të kishte një grup mbështetës kur u diagnostikua me kancer në gji. Ajo e bëri publike diagnozën vitin e kaluar dhe tani është shëruar. Edhe Karolin Malloni kaloi një tragjedi shtatorin e kaluar kur mësoi se bashkëshorti me të cilin ishte martuar që prej 31 vjetësh, vdiq gjatë një ekspedite në Himalaja.

“Koleget e mia ishin një burim mbështetjeje gjatë kësaj kohe. Ne që të treja jemi mama që punojmë, kështu që përballemi me sfidat e ekuilibrimit mes punës dhe familjes dhe fëmijëve. Ne mbështesim njëra-tjetrën”. - thotë ajo

Viti i kaluar ishte i rëndësishëm për marrëdhëniet mes tyre, por ky vit është vendimtar për karrierën e tyre politike. Që të treja po kërkojnë të rizgjidhen në vjeshtë, por Melisa Bin thotë se edhe sikur njëra ose më shumë prej tyre humbasin, kjo nuk do ta prekte miqësinë e tyre.

“Të gjitha ne, çfarëdo që të ndodhë kemi jetën tonë përtej Kongresit dhe miqësia jonë do të jetë e qëndrueshme. Është disi befasuese sepse ne nuk vijmë në Kongres për të krijuar miqësi, por ishte diçka e mrekullueshme që kemi krijuar një miqësi të tillë”.

Në fund të korrikut, ato u ndanë për të filluar pushimet e verës dhe u kthyen në shtetet e tyre për t’u bërë gati për garën e vjeshtës. Ato do të kthehen në shtator me shpresën jo vetëm për të ndarë përvojat e verës por edhe një mandat tjetër në Kongres dhe një vit tjetër së bashku.

XS
SM
MD
LG