Lidhje

Tre gra nderohen në ceremoninë e dhënies së çmimit Nobel për paqen


Tre gra nderohen në ceremoninë e dhënies së çmimit Nobel për paqen
Tre gra nderohen në ceremoninë e dhënies së çmimit Nobel për paqen

Sot në Oslo të Norvegjisë u mbajt ceremonia e dhënies së çmimit Nobel për paqen. Fitueset e këtij viti janë e para grua presidente në një vend afrikan, një veprimtare liberiane paqeje dhe një veprimtare e të drejtave të njeriut nga Jemeni. Këto gra të jashtëzakonshme bëhen pjesë e një grupi shumë të veçantë.

15 gra janë nderuar me çmimin Nobel për paqen, që kur ai filloi të jepej në vitin 1901. E para ishte shkrimtarja dhe aktivistja austriake Bertha von Suttner në vitin 1905. Këtë vit, Komiteti norvegjez i çmimit të Paqes e ndau çmimin prej 1.5 milionë dollarësh mes tre grave.

“Çmimi Nobel i Paqes për vitin 2011 do të ndahet mes fitueseve Ellen Johnson Sirleaf, Leymah Gbowee dhe Tawakkul Karman për përpjekjet e tyre paqësore për sigurinë e grave dhe për të drejtat e grave për pjesëmarrje të plotë në konsolidimin e paqes”, thotë Thorbjoern Jagland, kreu i Komitetit të Çmimit Nobel.

Presidentja Sirleaf u bë presidentja e parë e zgjedhur e Liberisë në vitin 2006. Liberiania tjetër Gbowee u nderua për rolin në bashkimin e grave kundër komandantëve të luftës në vendin e saj. Karman është një gazetare nga Jemeni dhe gruaja e parë arabe që merr çmimin.

Presidentja Sirleaf që ndodhet në Oslo për ceremoninë, e cilësoi çmimin një “vlerësim të mrekullueshëm” për pabarazitë që kanë vuajtur gratë.

“Ndjehem e nderuar që flas në emër të tyre, aspiratave dhe shpresave të tyre për një botë më të mirë, që flas për pabarazitë me të cilat ato janë përballur në mungesën e qasjes tek shërbimet bazë që bëjnë të mundur një jetë komode”, tha ajo.

Fitueset e vitit 2011, bëhen pjesë e një grupi elitë. Mes tyre është Nënë Tereza, që fitoi në vitin 1979 për punën e saj humanitare. Në vitin 1991, u nderua udhëheqësja e lëvizjes birmaneze pro-demokraci Aung San Suu Kyi, ndërsa mbrojtësja iraniane e të drejtave të njeriut, Shirin Ebadi fitoi në vitin 2003. Fituesja e fundit grua para këtij viti, ishte ambjentalistja nga Kenya, Wangari Maathai në 2004. Ajo vdiq në në shtator pas një beteje të gjatë me kancerin.

Kreu i komitetit të çmimit Nobel për paqen Thorbjoern Jagland thotë se gratë luajnë një rol kritik për paqen.

“Nuk mund të kemi demokraci dhe paqe afatgjatë në botë nëse gratë nuk kanë të njëjtat shanse si edhe burrat për të pasur ndikim në zhvillimet e të gjitha niveleve të shoqërisë”.

Gratë janë nderuar me çmimin Nobel edhe në shkenca dhe letërsi. Shkencëtarja franceze Marie Curie, është ndeuar dy herë: një herë në fizikë dhe vite më pas për arritjet në kimi.


XS
SM
MD
LG