Lidhje

Shtatë të vdekur nga orteku i borës në Kosovë


Shtatë të vdekur nga orteku i borës në Kosovë

Shtatë të vdekur nga orteku i borës në Kosovë

Autoritetet në Kosovë thanë se shtatë veta kanë humbur jetën nga pasojat e motit të lig, në fshatin Restelicë të komunës së Dragashit në Kosovën jugore.

Një ortek i madh borë ka shkatërruar gjashtë shtëpi në këtë fshat dhe ekipet e shpëtimit deri tash kanë konfirmuar se shtatë veta kanë humbur jetën, ndërsa po bëhen përpjekje për të shpëtuar të paktën edhe tre persona të tjerë që besohet se janë nën ortekun e borës.

Ekipet e shpëtimit nxorën nga gërmadhat e njërës nga shtëpitë një vajzë rreth 5 vjeçe, e cila i kishte mbijetuar ortekut. Ata thanë se gjendja e saj shëndetësore është e mire.

Qindra pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës janë përfshirë në operacionin e kërkim shpëtimit të mbështetur nga trupat e forcave paqeruajtëse dhe qytetarë të shumtë. Autoritetet thanë se orteku me një thellësi prej 10 metrash dhe me gjerësi prej 500 metrash ka goditur 15 shtëpi në fshatin Restelicë, që ndodhet në trekëndëshin Kosovë – Shqipëri – Maqedoni.

Operacioni është vështirësuar shumë gjatë orëve të natës për shkak të reshjeve të mëdha të borës dhe erës së fortë, që kanë pamundësuar depërtimin e makinerive të rënda në fshat.

Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga e cilësoi ngjarje të rëndë dhe të trishtueshme humbjen e jetëve në Restelicë. Në një deklaratë për opinion thuhet se institucionet e Kosovës dhe mekanizmat ndërkombëtarë, po bëjnë gjithçka që është e mundur që të ngujuarit të nxirren sa më shpejt.

Edhe qeveria e Kosovës duke shprehur ngushëllimet e saj për jetët e humbura ka theksuar se po ndjek nga afër situatën në fshatin Restelicë. Solidaritetin e tyre me situatën e kanë shprehur edhe partitë politike në vend.

Kosova tash e disa ditë me radhë është goditur nga moti i lig me reshje të mëdha bore dhe temperatura të ulta që kanë vështirësuar jetën. Reshjet e djeshme të borës kanë shkaktuar shumë vështirësi në komunat perëndimore të Deçanit dhe të Pejës, duke lënë edhe shume fshatra të izoluara. Vështirësi lëvizjeje ka edhe në disa komuna të tjera të Kosovës cilat kanë shpallur gjendjen e jashtëzakonshme.

Moti i lig që ka përfshirë Evropën la pas vetes deri tash rreth 500 të vdekur.

XS
SM
MD
LG