Lidhje

Tregëtia e arit në Francë në një moment të favorshëm

  • Henry Ridgwell

Tregëtia e arit në Francë në një moment të favorshëm

Tregëtia e arit në Francë në një moment të favorshëm

Ndërkohë që francezët përgatiten për pushimet e fundvitit, problemet ekonomike duket të kenë mjaft pasoja. Por kriza e euros e ka shndërruar vitin 2011 në një vit shumë të mirë për një pakicë njerëzish të Parisit, ata që merren me tregëtimin e arit.

Rruga Vivienne në Paris, qendra e tregëtisë së arit për Francën.

Për tregëtarët e metalit të çmuar punët rrallë herë kanë shkuar kaq mirë. Që nga fillimi i krizës në vitin 2008, çmimi i arit është rritur shumë.

Mishel Prijë’ është i specializuar në shitjen e monedhave të arta të quajtura Napolon dhe të artikujve të tjerë të çmuar, që ai tregëton në dyqanin e tij në Rrugën Vivienne.

“Çmimi i arit është rritur me më shumë se 5-fish. Ne kemi filluar me rreth 10 dollarë për gram. Tani çmimi për gram është rreth 59 dollarë. Pyetja është nëse do të vazdhdojë të ngrihet çmimi apo jo? Unë mendoj se ari nuk ka ndryshuar. Janë kartëmonedhat që kanë humbur vlerën e tyre.”

Bashkimi Evropian deri tani nuk e ka zbatuar procedurën e njohur si lehtësimi sasior në të njëjtën shkallë si në Shtetet e Bashkuara, Britaninë e Madhe apo Japoni.

Kjo procedurë konsiston në blerjen e bonove qeveritare nga ana e bankave qendrore, për të inkurajuar marrjen e kredive. Mishel Prijë’ thotë se njerëzit janë skeptikë ndaj kësaj praktike.

“Njerëzit e kuptojnë që pavarësisht nëse quhet lehtësim sasior apo diçka tjetër, kjo ka të bëjë vetëm me emetimin e parave të reja pa vlerë të vërtetë. Ata e dinë që kjo gjë mund të vazhdojë pa fund, pasi asgjë nuk i ndalon qeveritë nga printimi i parave kur atyre u duhet të mbulojnë shpenzimet e tyre. Por kur është fjala për ar, ai nuk mund thjesht të printohet.”

Presidenti francez Nikola Sarkozi thotë se ai është i sigurtë se udhëheqësit evropianë do t’i mbështesin masat shtrënguese për shpëtimin e euros.

Ai i ka kërkuar që Banka Qendrore Evropiane të ndihmojë vendet e dobëta të eurozonës, një lëvizje jo shumë e përkrahur nga Gjermania.

Mishel Prijë’ thotë se për shkak të njohurive të tij mbi monedhat e huaja ai e di se si do të shkojnë gjërat.

“Pas 3, 4 ose 5 vjetësh vendet e eurozonës do të kthehen në nivele të pranueshme të borxhit publik. Dhe të gjithë ne do të kemi humbur 30 përqind të forcës sonë blerëse. Është thjesht inflacion. Të gjitha qeveritë janë përballur me problemet e tyre duke krijuar inflacion, qysh prej 2700 vjetësh.”

Shëtitorja e famshme e Parisit, Champs Elysees, është një vend i rëndësishëm për forcën blerëse të konsumatorëve. Por, pavarësisht dritave të shumta të Krishtlindjeve, nuk ka shumë gjallëri midis njerëzve.

“Nëse do të na duhet të kursejmë, do të jetë mbi dhuratat por jo mbi ushqimet,” thotë ky qytetar.

“Çmimet e artikujve të përditshëm po rriten, sidomos ato të artikujve elementarë. Çdo gjë po bëhet më e shtrenjtë.”

Këtë vit, thonë tregëtarët e Rrugës Vivienne, një “Napolon” i artë mund të jetë dhurata më e mençur që mund të dhurohet për Krishtlindje.

XS
SM
MD
LG