Lidhje

Tregjet botërore tronditen nga referendumi Grek

  • Henry Ridwell

Tregjet botërore tronditen nga referendumi Grek

Tregjet botërore tronditen nga referendumi Grek

Greqia e lashtë njihet si vendlindja e demokracisë. Populli grek tani do të votojë për fatin e ekonomisë së tyre dhe ndoshta të ndikojnë në fatin e të gjithë eurozonës.

Kryeministri Xhorxh Papandreu i habiti politikanët në Athinë dhe përtej saj, duke deklaruar një referendum mbi paketën e re evropiane të ndihmave të caktuar për në janar. Po ashtu qeveria do të përballet me votëbesimin e parlamentit të premten.

“Kjo është forma më e lartë e demokracisë, është momenti më patriotik për qytetarët që të vendosin, ndaj le tu japim fjalën përfundimtare njerëzve dhe të lëmë ata të vendosin.”

Gjatë muajve të fundit, një valë grevash dhe protestash kundër masave të rrepta ekonomike ka sunduar qytetet greke. Paketa e fundit evropiane e ndihmës ekonomike kërkon shkurtime të mëtejshme të pagave në sektorin publik dhe pensionet dhe rritjen e taksave.

Anketat tregojnë se më shumë se gjysma e grekëve janë kundër, që do të thotë një votim negativ në referendum është krejtësisht i mundëshëm. Gazetari politik Kostas Raptis thotë se grekët gjithnjë e më shumë po kthehen kundër Bashkimit Evropian.

“Është një marrëdhënie e pabalancuar ekonomikisht dhe tani edhe në stadin politik. Nënkupton se kjo lloj disbalance tani po kalon edhe në fushën politike, ku ekonomitë e mëdha të eurozonës u diktojnë vendeve periferike se çfarë dhe si duhet të veprojnë.”

Kjo ka përhapur tensionet me Gjermaninë, e cila ka nxitur kërkesat e bllokut për masa më të rrepta ekonomike në Greqi.

Në një festë kombëtare në Greqi javën e kaluar që përkujton Luftën e Dytë Botërore, disa protestues valëvitën flamujë dhe parulla kundër Gjermanisë. Në demostrata të mëparshme, protestuesit kanë krijuar skena nga krimet naziste të luftës.

“Armiqësitë e Luftës së Dytë Botërore ende mbijetojnë të fshehura. Shumë grekë ankohen për dëmet e shkaktuara në vend gjatë luftës dhe nevojës për dëmshpërblime të duhura nga Gjermania.”

Në publik, udhëheqësit tregojnë shenja uniteti. Por referendumi duket se do të tendosë këto marrëdhënie. Joerg Rocholl është president i Shkollës Evropiane të Menaxhimit në Berlin.

“ Nëse shkon mirë, Papandreu ka mbështetjen e popullit grek. Nëse jo, mund të çojë në një situatë ku Greqia nuk është më anëtare e eurozonës.”

Pas disa ditësh qetësie relative, Evropa është zhytur përsëri në pasiguri politike dhe ekonomike.

XS
SM
MD
LG