Lidhje

Tregu amerkian i shtëpive, tërheq blerësit e huaj


Të pasurit nëpër botë kërkojnë gjithnjë mënyra se si t’i investojnë paratë dhe për disa njerëz, kjo do të thotë të blejnë shtëpi në Shtetet e Bashkuara. Ndërsa të huajt zotërojnë rreth 6 përqind të shtëpive të shitura, në disa zona të vendit investimet e tyre janë shumë më të mëdha se në zona të tjera. Kalifornia e Jugut është një zonë që ka tërhequr shumë blerës të huaj.

Kur kinezja Cathay Wicks kërkonte të blinte shtëpi, ajo kishte në mendje një strukturë dhe pamje të caktuar.

"Doja që shtëpia ime të kishte shumë dritë dhe hapësirë. Jo domosdoshmërisht e madhe, por kur të hysh brenda të jetë e ndriçuar” .

Wicks bën pjesë në grupin e atyre të huajve që janë të interesuar të blejnë shtëpi në qytetet e mëdha amerikane. Jed Kolko është krye ekonomisti i faqes së pasurive të paluajtëshme Trulia.com.

“Në disa zona të Shteteve të Bashkuara ka shumë kërkesa nga të huajt për shtëpi dhe kjo bën që çmimet të jenë të larta. Zonat ku ky ndikim ndjehet me shumë janë Los Angeles, Miami dhe New York”.

Ekspertja e pasurive të paluajtëshme në Los Angeles, Angela Wong, thotë se vitin e kaluar klientët e saj nga Kina u shtuan 30 përqind.

“Shumë klientë blejnë në Shtetet e Bashkuara për shkak të shkollimit të fëmijëve. Kjo është arsyeja e parë. E dyta është se ata duan të imigrojnë në Shtetet e Bashkuara”.

Më shumë se gjysma e blerësve nga Kina shkojnë në Kaliforni. Në Irvine një kompleks i ri shtëpish tërheq vemendjen e blerësve kinezë. Emile Haddad është investitori i këtij kompleksi.

“Ne kemi ndjekur modelin e kërkesave të blerësve kinezë. Kemi konsulentë edhe për emrat e rrugëve, në mënyrë që ato të jenë të përshtatshme për bestytnitë e njerëzve dhe të lehta për t’u shqiptuar”.

Kinezët nuk janë të vetmit blerës të huaj në Shtetet e Bashkuara. Njerëz nga 68 vende janë të interesuar të blejnë shtëpi në Shtetet e Bashkuara. Agjentja imobiliare, Shannon Miller, thotë se shumica e blerësve të huaj paguajnë me para në dorë, duke e bërë tregun e shtëpive, në Los Angeles, për shembull, shumë konkurues për blerësit e tjerë.

“Shumica blejnë në formën tradicionale, duke marrë hua. Ata që vinë me para në dorë e kanë shumë të lehtë të fitojnë kontratat. Ata hynë në treg kur ky ishte i mbushur me shtëpi të mara nga bankat. Tani ata janë të interesuar për gjithçka”.

Një tjetër arsye për të blerë shtëpi në Shtetet e Bashkuara është marrja e vizës EB-5. Si kusht, i huaji duhet të investojnë një shumë të caktuar në bisneset komerciale dhe duhet të ketë edhe një shtëpi në Shtetet e Bashkuara. Ekonomistët presin që çmimet e shtëpive të vazhdojnë të ngrihen. Ata nuk parashikojnë që blerësit e huaj t’i shesin shtëpitë për fitim brenda një kohe të shkurtër.
XS
SM
MD
LG