Lidhje

Kryeministri japonez sot takohet me presidentin e zgjedhur, Donald Trump


Kryeministri japonez Shinzo Abe takohet sot me presidentin e zgjedhur amerikan Donald Trump gjatë qëndrimit të tij në Nju Jork. Kryeministri Abe pritet të theksojë rëndësinë e aleancës së sigurisë mes Japonisë dhe Shteteve të Bashkuara. Para se të nisej, zoti Abe tha se synon ta shfrytëzojë këtë takim për të diskutuar me zotin Trump vizionin e tij për të ardhmen.

Aleanca japonezo-amerikane është me rëndësi thelbësore për diplomacinë dhe sigurinë e Japonisë, u shpreh ai para se të nisej për të në Shtetet e Bashkuara.

Gjatë fushatës së tij presidenciale, Donald Trump ka ngritur disa herë pikëpyetje për marrëdhëniet mes Tokios dhe Uashingtonit, duke aluduar se Shtetet e Bashkuara po investonin më shumë se duhej në sigurinë e Japonisë. Ai ngriti edhe idenë që vende të rajonit, ndër to edhe Japonia, duhet të lejoheshin të zotëronin armë bërthamore, si dhe të imponoheshin pagesa më të larta për forcat amerikane që dislokohen në këto vende.

Shtetet e Bashkuara kanë rreth 53 mijë forca ushtarake dhe 43 mijë pjesëtarë të familjeve të tyre si dhe 5 mijë punonjës civilë të Pentagonit të dislokuara në Japoni.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG