Lidhje

Trump ngre akuza për “manipulim në zgjedhje”


Tre javë para se amerikanët të shkojnë në votime, kandidati republikan për president, Donald Trump, po u thotë mbështetësve se zgjedhjet janë manipuluar kundër tij. Nëse zoti Trump do të humbasë përballë zonjës Clinton pritet të shihet nëse ai do të pranojë rezultatin apo do të pretendojë se zgjedhjet iu vodhën:

Fjalimi i pranimit të humbjes është një traditë që respektohet.

“Sapo i telefonova presidentit Obama për t’i uruar fitoren”, kështu u shpreh ish kandidati republikan për president, Mitt Romney në vitin 2012.

Pas fushatave të ashpra elektorale, kandidatët humbës zakonikisht bëjnë thirrje për unitet kombëtar. I tillë ishte edhe fjalimi i ish kandidatit të atëhershëm Mitt Romney.

“Lutem që presidenti të jetë i sukseshëm në drejtimin e vendit tonë.”

Por si do të reagojë Donald Trump në rast të një disfate ? Në debatin e parë presidencial ai tha se do të pranonte rezultatin.

“Përgjigja është po, nëse fiton, unë do ta mbështes atë.”

Por mesazhi i ditëve të fundit tingëllon ndryshe.

“Është një sistem i manipuluar.”

I goditur nga media mbi akuzat për ngacmime seksuale të grave dhe i nxitur nga fjalët e tij si dhe ato të akuzueseve të shumta, Trump thotë se është viktimë e një fushate diskreditimi për t’i mohuar atij presidencën.

“Zgjedhjet po manipulohen nga media e korruptuar që pasqyron akuzat e rreme dhe gëshnjeshtrat në përpjekje për të zgjedhur presidente Hillary Clintonin.

Ai ka lëshuar paralajmërime se në qendrat e votimeve mund të ketë mashtrime.

“Shkoni votoni dhe pastaj kontrolloni përreth. Sepse shumë gjëra të këqija ndodhin dhe nuk duam të humbasim për shkak të tyre.”

Gjatë emisionit “This Week” në kanalin televiziv ABC, kandidati demokrat për nënpresident, Tim Kaine, ju kundërpërgjigj rreptë akuzave të zotit Trump.

“Ai po fajëson median dhe republikanët. Ai po thotë se Amerika nuk mund të zhvillojë zgjedhje të drejta. Ai po thekson fantazitë e imagjinatës së tij sepse e di që do të humbasë.”

Por, mbështetësit e zotit Trump thonë se ai ka të drejtë në një pikë. Se media është më shumë e përqendruar në polemikat rreth zotit Trump se sa në emailet e zbuluara nga WikiLeaks rreth fjalimeve të paguara të zonjës Clinton në Wall Street dhe atyre që besohet të jenë emaile komikimi brenda fushatës së saj.

Reagimi i ish Kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve, Newt Gingrich, ishte i ashpër.

“Këto zgjedhje po manipulohen nga media kombëtare, që po bëjnë gjithçka për të bllokuar lajmet e këqija rreth zonjës Clinton dhe gjithçka për të zmadhuar lajmet e këqija për zotin Trump.”

Nervozizmi është i lartë tek disa nga përkrahësit më të zjarrtë të zotit Trump. Kandidati republikan për nënpresident, Mike Pence, u gjet përballë një situate të tillë në një takim elektoral.

“Nëse Hillary fiton, jam i gatshëm për revolucion”, thotë ky kundërshtar i kandidates demokrate.

“Jo, mos e thuaj atë gjë”, iu përgjigj zoti Pence.

Disa udhëheqës republikanë nuk pajtohen me sulmet e fundit të zotit Trump. Një zëdhënëse e Kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve Paul Ryan u shpreh se “demokracia amerikane mbështetet tek besimi mbi rezultatin e zgjedhjeve dhe zoti Ryan ka besim të plotë se shtetet do t’i orgaanizojnë këto zgjedhje me integritet.”

XS
SM
MD
LG