Lidhje

McCain qorton republikanin Trump


Mcain

Mcain

Debati i kandidatit republikan për president Donald Trump me prindërit e një ushtari myslimano-amerikan të vrarë në Irak u ringjall përsëri të hënën.

Senatori i Arizonës John McCain, ish i burgosur lufte në Vietnam në vitet 1960, e qortoi kandidatin Trump për komentet përçmuese ndaj zotit Khizr Khan dhe gruas së tij Ghazala, për faktin që ata përmendën djalin e tyre në Kuvendin Kombëtar Demokrat javën e kaluar. I biri i tyre u vra nga një bombë në vitin 2004 në Irak.

Çifti Khan ka mbështetur zonjën Hillary Clinton, dhe ka vazhduar të flasë kundër zotit Trump në intervista televizive.

Zoti McCain përmendi se zoti Khan ka lënë të kuptohet se njerëz si kapiteni Humayun Khan, nuk duhet të lejohen në Shtetet e Bashkuara – pa folur për të shërbyer në ushtrinë amerikane.

"E kam të vështirë ta theksoj mjaftueshëm se sa shumë nuk jam dakord me deklaratën e zotit Trump", tha senatori McCain. "Shpresoj se amerikanët e kuptojnë që komentet e tij nuk përfaqësojnë qëndrimet e Partisë sonë Republikane, të zyrtarëve apo të kandidatëve të saj."

TRUMP, SAKRIFICA DHE VENDET E PUNËS

Dje, zoti Donald Trump komentoi se krijimi prej tij i mijëra vendeve të punës ishte një "sakrificë", e krahasueshme me vdekjen e një ushtari myslimano-amerikan, i cili u vra në Irak.

Khizr Khan, i ati i kapitenit të vrarë Humayun Khan, i tha rrjetit CNN se zoti Trump është "krejtësisht i papërshtatshëm” për të udhëhequr vendin.”

Zoti Khan, një emigrant pakistanez, tha në një fjalim në Kuvendin Demokrat javën e kaluar se familja e tij nuk do të ishte lejuar të emigronte në Amerikë po të zbatoheshin politikat e imigracionit të rekomanduara nga zoti Trump. Ai tha se zoti Trump gjatë jetës së tij nuk ka sakrifikuar asgjë.

Në një intervistë që u transmetua dje në rrjetin ABC News, kandidati Trump tha se kishte bërë shumë sakrifica duke krijuar "mijëra e mijëra vende pune.” Unë mendoj se këto janë sakrifica, tha zoti Trump.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG