Lidhje

Trump kërkon ndjesë për komentet denigruese seksuale të vitit 2005


Kandidati republikan për president Donald Trump kërkoi ndjesë të premten pas bërjes publike të një videoje regjistruar në vitin 2005, ku ai tregon se si u afrohet grave për të kërkuar favore seksuale.

Përmes një deklarate Trump shprehet: "Kërkoj ndjesë në se dikush është ofenduar", duke iu referuar një artikulli të botuar fillimisht në gazetën "Washington Post", e cila siguroi videon me komentet denigruese të Trumpit rreth grave.

Kur bëri komentet Trump ishte duke folur me gazetarin Billy Bush të emisionit televiziv "Access Hollywood", në një bisedë private, në prani të vetëm disa pak personave, në një autobuz që po e çonte Trumpin në emisionin televiziv. Trump ndërkohë kishte mikrofonin në trup.

Në regjistrim ai thotë: "Gratë e bukura më tërheqin menjëherë, si me magnet dhe filloj t'i puth. Nuk më pritet, i puth menjëherë". Dhe më tej vazhdon: "Kur je i njohur, ato të lënë të bësh ç'të duash".

Trump vazhdon me komente të tjera vulgare se si u kërkon favore seksuale grave, duke folur në mënyrë shumë të hapur.

Në deklaratën ku kërkon ndjesë Trump thotë se: "Ato ishin biseda private, që ndodhën shumë vite më parë. Bill Clinton më ka thënë gjëra shumë më të shëmtuara në fushën e golfit, që as nuk u afrohen këtyre që kam thënë unë".

Kryetari republikan i Dhomës së Përfaqësuesve, Pol Rajën, tha se ishte i neveritur nga ajo që kishte dëgjuar dhe se kandidati republikan nuk do të marrë pjesë në një konferencë të partisë të shtunën, ku ishte planifikuar të fliste.

Edhe republikanë të tjerë të lartë, si kryetari i Komitetit Kombëtar Republikan, Reince Priebus, i dënuan komnentet.

Ngjarja ka bërë jehonë në median sociale, duke u kthyer në armën më të fuqishme që ka patur në dorë deri tani Partia Demokrate për të bindur gratë e pavendosura dhe votues të tjerë që të mbështesin zonjën Clinton.

XS
SM
MD
LG