Lidhje

Deklaratat e Trumpit trondisin Azinë


Republican presidential candidate Donald Trump gestures during a rally in Charleston, W.Va., May 5, 2016.

Republican presidential candidate Donald Trump gestures during a rally in Charleston, W.Va., May 5, 2016.

Zërat konservatorë se aleatët e Amerikës në Azi duhet të pajisen me armë bërthamore, pritet të dëgjohen më shumë, në se Donald Trump bëhet presidenti i ardhshëm i Shteteve të Bashkuara. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Brian Padden njofton nga Seuli se komentet e bëra nga kandidati i pritshëm i partisë republikane rreth ndërprerjes së ndihmës amerikane për Azinë, kanë ngjallur dyshime mbi angazhimin amerikan për sigurinë e rajonit dhe kanë forcuar argumentat e atyre që thonë se aleatët rajonalë duhet të kenë armë bërthamore për t’u vetëmbrojtur.

Gjatë fushatës elektorale, kandidati republikan Donald Trump, ka sugjeruar se Japona dhe Koreja e Jugut duhen lejuar të kenë armë bërthamore. Po ashtu ai është shprehur se trupat amerikane duhet të tërhiqen nga vendet që nuk janë dakort të paguajnë më shumë për bazat ushtarake amerikane në territorin e tyre.

28 mijë e 500 trupa amerikane janë të vendosura në Korenë e Jugut dhe 54 mijë në Japoni. Tokioja i paguan Uashingtonit gati 1.6 miliardë dollar në vit dhe Seul mbi 866 milionë dollarë për këto baza.

Ekspertët thonë se gadishmëria e zotit Trump për të shqyrtuar dhënien e armëve bërthamore aleatëve, në se do të zbatohej, do të përbënte shkelje të traktatit për mos përhapjen e armëve bërthamore.

“Nëse aleatët e Shteteve të Bashkuara mbrohen vetë, siç tha Trumpi, aleanca do të thyet dhe kjo do të çojë në efektin domino për armatosjen me armë bërthamore në Azi”, thotë Moon Keun-Sik, me Forumin për Sigurinë dhe Mbrojtjen e Koresë.

Megjithë shqetësimet që filluan kur Kina u bë fuqi bërthamore, apo me programin e fundit bërthamor të Koresë së Veriut, Uashingtoni ka qënë në gjëndje të bindë apo t’u bëjë presion aleatëve aziatikë të mbështeten në “ombrellën e tij bërthamore” për mbrojtje.

Megjithatë, kërcënimi i Trumpit për t’u tërhequr nga Azia mund të forcojë zërat e paktë në parlamentin e Japonisë dhe Asamblenë Kombëtare të Koresë së Jugut që thonë se ata nuk mund të mbështeten më gjatë në mbrojtjen amerikane.

“Në se deklaratat e Trumpit bëhen realitet, do të ketë politikanë që do të bien dakort dhe shumë do të jenë entuziastë besoj,” thotë profesor Hiroshi Nunokawa në Universitetin e Hiroshimës.

Armatimi i Koresë së Jugut dhe Japonisë me armë bërthamore ka të ngjarë të shtojë tensionet rajonale, duke legjitimuar programin bërthamor të Koresë së Veriut dhe do t’i jepte fund çdo mbështetje nga Kina dhe Rusia për sanksionet ndërkombëtare kundër qeverisë së Kim Jong Unit.

Edhe pse Trumpi është vetëm kandidat dhe jo ende president, fjalët e tij po ndiqen me vëmendje në Azi dhe shumë besojnë se mesazhi i tij me dashje apo jo, mund të minojë besimin për angazhimin e Amerikës në rajon.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG