Lidhje

Donald Trump shkakton sërish polemika


Kandidati kryesues republikan Donald Trump po shkakton sërish polemika, këtë herë pasi nuk korrigjoi një mbështetës të tij që e quajti Presidentin Barack Obama mysliman dhe të huaj. Ky dialog u zhvillua mbrëmë gjatë një seance pyetje-përgjigjesh në Rochester, të shtetit New Hampshire.

“Kemi një problem në këtë vend: myslimanët. E dimë se presidenti ynë është i tillë. Madje ti e di se ai nuk është as amerikan. Së dyti, ekzistojnë kampe ku po trajnohen për ta na vrarë. Pyetja ime është: kur do t’i heqim qafe?”- tha një burrë nga publiku:

“Do shqyrtojmë shumë gjëra, ndërkohë që shumë njerëz po shprehen kështu për gjëra të këqija që po ndodhin. Do t’i shqyrtojmë këto aspekte dhe më tej,” u përgjigj zoti Trump.

Zoti Trump, jo vetëm që nuk e kundërshtoi përshkrimin e rremë për Presidentin Obama, por gjithashtu nuk trajtoi atë çka u pa si një thirrje për çrrënjosjen e myslimanëve nga Amerika.

Zonja Clinton e kritikoi menjëherë zotin Trump nëpërmjet Twitterit, ku shkruante: “Donald Trump nuk po denoncon deklaratat e rreme për Presidentin e Shteteve të Bashkuara. Retorika e urrejtjes ndaj myslimanëve është shqetësuese dhe plotësisht e gabuar. Duhet ndërprerë.”

Zyrtarë të fushatës Trump u thanë mediave më vonë se ai nuke kishte dëgjuar pjesën e pyetjes për Obamën dhe myslimanët, dhe se përgjigja e tij ishte për pjesën e kampeve të trajnimit të ekstremistëve.

XS
SM
MD
LG