Lidhje

Trump, rezistencë traditës së transferimit pa sfida të pushtetit

  • Jim Malone

Kandidati republikan për president Donald Trump deklaroi dje se do t’i pranonte rezultatetet e zgjedhjeve të 8 nëntorit, me kusht që ai të kishte dalë fitues. Komentet e tij një ditë pas debatit të tretë dhe të fundit mes kandidatëve presidencialë pasojnë akuzat që ka përsëritur disa herë pretendenti republikan se procesi zgjedhor po manipulohet kundër tij.

Donald Trumpi vazhdoi dje fushatën me një aktivitet në shtetin e pavendosur Ohajo, ku u përcolli një mesazh përkrahësve të tij:

“Dua t’u premtoj dhe të zotohem para votuesve dhe përkrahësve të mi dhe të gjithë popullit amerikan se do t’i pranoj rezultatet e këtyre zgjedhjeve historike presidenciale, nëse fitoj”.

Këto fjalë pasuan komentet e tij që bënë jehonë në mbarë botën, kur në debatin e së mërkurës iu drejtua pyetja nëse do të respektonte traditën amerikane duke pranuar rezultatin e zgjedhjeve, pavarësisht nëse fiton apo jo. Pyetja u pasua nga ky shkëmbim mes dy kandidatëve:

“Ai që humbet pranon rezultatin duke njohur fitoren e rivalit; theksohet uniteti në emër të të mirës së vendit. Ju po thoni se nuk jeni i gatshëm të respektoni këtë parim?” pyet drejtuesi i debatit.

“Po them se përgjigjen do ta jap kur t’i vijë koha. Do t’ju mbaj në pritje,” tha zoti Trump.

“Chris, më lejoni t’i përgjigjem kësaj pyetjeje. Është tronditëse që sa herë që Donald Trumpit i duket se punët nuk po i ecin si do ai, ngrihet e thotë se po manipulohet sistemi,” reagon zonja Clinton.

Duke mos pranuar të marrë zotimin për të respektuar rezultatin e zgjedhjeve, zoti Trump mund të ketë dëmtuar edhe më tej marrëdhëniet me disa republikanë, të cilët shqetësohen se rënia e mbështetjes për kandidatin presidencial dëmton edhe shanset e kandidatëve republikanë për Kongres.

“Pjesa më e madhe e anketave tregojnë se 75-80% e bazës së republikanëve ende e mbështesin fuqimisht Donald Trumpin, kjo tregon se figurat e partisë mund të jenë të shkëputura nga qëndrimi i shumicës së republikanëve gjë që mund të krijojë fërkime. Të gjitha këto e kanë ndihmuar Hillary Clintonin, e cila këto kohë është marrë vetëm me fushatën e saj,” thotë analisti John Feehery.

Aktualisht zoti Trump është 7 pikë prapa kandidates demokrate në anketat kombëtare; diferenca mes dy kandidatëve filloi të rritej që nga debati i parë.

Megjithëse përkrahësit e zotit Trump i përshëndetën reagimet e tij dhe kritikat agresive ndaj zonjës Clinton në debate, ishte temperamenti i tij që u bë problem, thotë Matt Dallek i Universitetit George Washington:

“Debatet kanë rëndësi në këto zgjedhje, ndoshta më shumë se në zgjedhje të mëparshme, ndoshta ngaqë antipati të dukshme për të dy kandidatët. Votuesit janë në dilemë për temperamentin e Donald Trumpit dhe për besueshmërinë e Hillary Clintonit”.

Me përfundimin e debateve, të dy kandidatët tani janë përqëndruar në mobilizimin e amerikanëve për të votuar. Në më shumë se 30 shtete zgjedhjet janë hapur për votuesit e hershëm.

XS
SM
MD
LG