Lidhje

Trump: Rusia, sulm kibernetik për të ndikuar në zgjedhje


Presidenti i zgjedhur, Donald Trump pranoi për herë të parë se Rusia depërtoi në kompjuterat e Komitetit Kombëtar Demokrat në një përpjekje për të ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale të Shteteve të Bashkuara. Në një konferencë për shtyp dje, presidenti i ardhshëm amerikan mohoi gjithashtu me forcë një njoftim të pakonfirmuar se Rusia kishte informacion personal komprometues për të. Ai përsëri kritikoi ashpër agjencitë amerikane të zbulimit.

Në konferencën e pare për shtyp që kur fitoi zgjjedhjet, Donald Trump e pranoi se beson se Russia depërtoi në kompjuterat e Komitetit Kombëtar Demokrat në një përpjekje për të ndikuar në zgjedhjet presidenciale të 8 nëntorit:

“Përsa i takon sulmit kibernetik, mendoj se ishte Rusia. Por ne sulmohemi edhe nga vende dhe persona të tjerë.”

Në një qëndrim që duket se e minimizon incidentin, ai përmendi sulmet kibernetike të Kinës ndaj Shteteteve të Bashkuara dhe paaftësinë e Partisë Demokrate për të mbrojtur kompjuterat:

“Komiteti Kombëtar Demokrat, ishte krejtësisht i ekspozuar ndaj ndërhyrjeve. Ata bënë një punë shumë të dobët. Mund të kishin pasur masa mbrojtëse, si ne”.

Zoti Trump denoncoi gjithashtu me force një njoftim të pakonfirmuar se Rusia kishte informacion të papërshtatshëm dhe komprometues për të.

“Është lajm i rremë. Është shpifje. Nuk ka ndodhur”.

Zoti Trump vlerësoi Presidentin rus, Vladimir Putin që tha se raporti ishte i pavërtetë dhe falenderoi organizatat e medias që vendosën të mos ta botojnë atë, si dhe sulmoi agjencitë e zbulimit:

“Ata e panë se sa i pakuptimtë ishte njoftimi që u bë publik ndoshta nga agjencitë e zbulimit që nëse është e vërtetë do të ishte një një njollë në reputacionin e tyre”.

Ai gjithashtu kritikoi ashpër CNN-in që transmetoi njoftimin për këto akuza.

Me një numër të madh dosjesh me dokumenta financiare dhe ligjore me vete, zoti Trump njoftoi se nuk do të heqë dorë nga pronësia e bizneseve të tij, ose ti vërë ato nën kontrollin e njerëzve të panjohur gjatë presidencës.

Zoti Trump tha se djemtë e tij do ta menaxhojnë biznesin dhe nuk do ta diskutojnë me të.

Por disa, si analisti Larry Sabato, thonë se kjo nuk është e mjaftueshme:

"Asnjë zyrë ose ekspert etike i pavarur në vend, beson se kjo është e mjaftueshme. Por është e qartë që vetëm kaq do të mund të marrim”.

Por zoti Trump këmbëngul që hapat që ai ka marrë, do të jenë të mjaftueshme për të shmangur çdo konflikt interesi ndërsa është president.

XS
SM
MD
LG