Lidhje

Priten emërime të reja në kabinetin Trump

  • Michael Bowman

Amerikanët janë në pritje të emërimeve të tjera që do t’i japin formën përfundimtare kabinetit të presidentit të zgjedhur Donald Trump. Sipas korrespondentit të Zërit të Amerikës Michael Bowman ritmi i njoftimeve për poste të reja ra disi për shkak të festës kombëtare të falenderimeve, por pritet të përshpejtohet sërisht gjatë kësaj jave.

Asnjë prej emërimeve të zotit Trump nuk po prodhon kaq kureshtje sa ajo për sekretarin e shtetit. Në garë për t’u emëruar si kryediplomati amerikan është një prej njerëzve besnik të zotit Trump.

​“Nuk do të diskutoja kurrë për politike apo çfarë ai do të zgjedhë ose jo ditën e falenderimeve. Dhe mbase nuk do ta diskutoja fare”, thotë Rudi Giuliani ish kryetar i bashkisë së Nju Jorkut.

Pjesë e garës është dhe një prej kritikëve më të fortë të zotit Trump gjatë fushatës.

​“Mendoni për cilësitë personale të Donald Trumpit, arroganca, babëzia, mburrja, paragjykimi ndaj grave, një teatër absurd” ka thënë ish guvernatori i Masaçusetsit Mitt Romney.

Disa prej njerëzve të afërt të zotit Trump e kanë shprehur hapur dhe qartë pakënaqësinë ndaj zotit Romney.

Kjo është festa e zotit Trump, ai fitoi shtete që Mitt Romney i humbi. Fitoi Miçiganin, Mitt Romney e humbi. Do të kisha dashur që Mitt Romney të ishte po aq kritik ndaj Hillary Clintonit”, tha për rrjetin televiziv ABC Kellyanne Conway zëdhënëse e Donald Trumpit.

Një prej kundështarëve të zotit Trump thotë se ka besim tek ekipi që ai ka përzgjedhur deri tani.

Jam i inkurajuar prej këtij ekipi, fokusi i tyre. Jam i inkurajuar prej planit të tyre për të vepruar në mënyrë agresive në 100 ditët e para, për të hequr barrën fiskale mbi bizneset e vogla dhe për të krijuar vende pune. Këtë duhet të bëjë një president”, tha për ABC senatori republikan Ted Cruz.

Zoti Cruz tha se republikanët s’duhet të kenë asnjë droje të ecin përpara me axhendën e tyre pas ceremonisë së përurimit të presidentit të ri.

Kemi një mandat për të ndryshuar vendin. Republikanëve u është dhënë mundësia, u është dhënë kontrolli i Shtëpisë së Bardhë, çdo degë të ekzekutivit, të dyja dhomat e kongresit. Duhet të prodhojmë rezultat”, thotë senatori republikan Ted Cruz.

Progresistët ndërkohë i kanë bërë thirrje zotit Trump të qëndrojë i vendosur në ato fusha për të cilat gjatë fushatës nuk ishte dakort me partinë republikane sikurse ruajtja e sistemit që mbron të moshuarit dhe të varfërit.

Gjatë garës për president Trump tha se “unë jam republikani i vetëm që nuk do të shkurtoj sigurimet shëndetsore dhe shoqërore. Disa njerëz në partinë Republikane duan të bëjnë shkurtime masive në buxhetin e sigurimeve shëndetsore. A do ta mbajë ai premtimin?” tha për ABC News senatori i pavarur Bernie Sanders.

Ndërsa zoti Trump pritet të përfundojë emërimet për kabinetin e tij në javët që vijnë, me qindra emërime të niveleve më të ulta do të bëhen pas betimit të tij në 20 janar.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG