Lidhje

Analistët dhe pikëpamjet izoluese të z. Trump

  • Cindy Saine

Favoriti republikan Donald Trump thotë se ai mendon se Shtetet e Bashkuara nuk kanë marrë trajtim të mirë nga marrëveshjet në kuadrin e aleancave ndërkombëtare pas Luftës së Dytë Botërore, duke përfshirë Konventën e Gjenevës, që ai thotë se i ka bërë trupat amerikane të kenë "frikë" për të luftuar. Ai thotë se do të bëjë ndryshime të mëdha në qoftë se zgjidhet president në nëntor të këtij viti. Analisti Thomas Wright dhe ekspertë të tjerë thonë se propozimet e zotit Trump do të përbënin një "revolucion" në politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara.

Miliarderi Donald Trump ka befasuar kampin republikan dhe tani dëshiron ta bëjë të njejtën gjë me politikën e jashtme amerikane. Zoti Trump thotë se Shtetet e Bashkuara janë një vend me infrastrukturë të shkatërruar që nuk mund ta përballojë më të jenë polici i botës. Në një debat të kohëve të fundit në kanalin televiziv CNN, ai sfidoi një aleancë të rëndësishme.

"NATO është vjetëruar. Ajo është një aleancë 67 apo 60 vjeçare që përbëhet nga shumë vende dhe nuk merret me terrorizmin. Ajo merret me Bashkimin Sovjetik që nuk ekziston më. NATO duhet të ndryshohet për mirë".

Komentet e zotit Trump mbi NATO-n dhe koston e lartë që Shtetet e Bashkuara po paguajnë për sigurinë e Japonisë dhe Koresë së Jugut nuk janë të rastësishme, por pasqyrojnë pikëpamjet e tij të vjetra, thotë eksperti i politikës ndërkombëtare Thomas Wright:

"Ai ka një problem të madh me aleancat e Amerikës në Azi, Evropë dhe në Lindjen e Mesme. Ai ka probleme të mëdha me të gjitha marrëveshjet tregëtare dhe llojet e ndryshme të angazhimit ekonomik të Shteteve të Bashkuara në dekadat e fundit. Dhe ai është në kërkim të vendosjses së lidhjeve më të ngushta me regjimet autoritare si Rusinë e Putinit. Pra, kjo do të përbënte një revolucion të vërtetë në politikën e jashtme amerikane".

Zoti Trump thotë se senatori republikan Jeff Sessions kryeson ekipin e tij të këshilltarëve të politikës së jashtme, por ka qenë i ngadalshëm në publikimin e emrave të ekipit të tij të plotë. Zoti Wright thotë se ka një arsye të thjeshtë për këtë:

"Udhëheqësit republikanë të politikës së jashtme nuk pajtohen me të. Ata janë të tronditur, i kundërshtojnë propozimet e tij, dhe nuk duan t’i bashkohen ekipit të tij të politikës së jashtme për shkak të mosmarrëveshjeve të tyre legjitime me të".

Zoti Wright argumenton se, nëse zgjidhet, pikëpamjet izoluese të zotit Trump mund t’i heqin një shtyllë të stabilitetit botëror: udhëheqjen amerikane.

XS
SM
MD
LG