Lidhje

Donald Trump bën thirrje për "realizëm në politikën e jashtme"


Kandidati republikan për President Donald Trump bëri thirrje të hënën për “realizëm në politikën e jashtme”, duke u përqendruar tek shkatërrimi i ekstremistëve të Shtetit Islamik dhe grupeve të tjera terroriste jo tek rindërtimi i vendeve të tjera sipas një ideali amerikan.

Në një fjalim për politikën e jashtme në shtetin e Ohajos, zoti Trump tha se Shtetet e Bashkuara duhet të jenë në krah të çdo vendi që do që të mposhtë “terrorizmin radikal islamik”, pavarësisht nga mosmarrëveshjet e mëparshme.

Ai tha se fuqizimi i Shtetit Islamik është “rezultat i drejtpërdrejtë” i politikës së jashtme të Presidentit Barack Obama dhe ish-Sekretares së Shtetit, Hillary Clinton, rivalja e tij në zgjedhjet e nëntorit.

Zoti Trump tha se nëse zgjidhet, ai do të organizojë një konferencë ndërkombëtare me udhëheqës ndërkombëtarë për të hartuar një plan të ri “për të shtypur dhe shkatërruar” terrorizmin islamik. Ai tha se “koha e shtet-ndërtimit” nga Shtetet e Bashkuara “do të marrë fund menjëherë”.

Ai e paraqiti planin e tij për të luftuar terrorizmin pas një jave gjatë së cilës ai deklaroi disa here se Presidenti Obama dhe zonja Clinton kishin krijuar ISIS-in. Më pas ai the se e kishte thënë një gjë të tillë me ironi.

Në fjalimin e tij, zoti Trump paraqiti planet e tij për politikat e imigracionit, përfshirë ndërprerjen e vizave për personat, të dhënat e të cilëve nuk kontrollohen dot paraprakisht.

Zoti Trump bëri thirrje për pezullimin e përkohshëm të vizave për persona që vijnë nga rajone gjeografike me një histori në eksportimin e terrorizmit, në vend që të identifikonte imigrantët nga përkatësia fetare.

XS
SM
MD
LG