Lidhje

Trump, thirrje kundër Grupit të Lirisë


Presidenti amerikan Donald Trump bëri një thirrje kundër Grupit të Lirisë, republikanët më konservatorë të Kongresit, që ishin kryesisht përgjegjës për dështimin e përpjekjeve për të ndryshuar ligjin e kujdesit shëndetësor.

Në një postim në Twitter të enjten, zoti Trump u bëri thirrje republikanëve që të sfidojnë anëtarët e këtij grupi dhe demokratët.

Mesazhi i Presidentit Trump dukej se inkurajonte sfidat ndaj anëtarëve të këtij grupi në votimet brenda partisë për zgjedhjet për anëtarët e Kongresit, vitin e ardhshëm. Grupi i Lirisë ka rreth 32 anëtarë, shumica e të cilëve fituan lehtësisht zgjedhjet në distrikte me prirje republikane.

Administrata e Presidentit Trump nuk është e kënaqur me pavarësinë e këtij grupi. Presidenti u përpoq me forcë të bindte anëtarët e tij për të zëvendësuar ligjin e kujdesit shëndetësor të ish-Presidentit Obama.

Por përpjekjet e tij dështuan të premten e kaluar përballë kundërshtimit të Grupit të Lirisë, pasi zoti Trump dhe Kreu i Dhomës së Përfaqësuesve Paul Ryan nuk arritën të bindnin numrin e nevojshëm të ligjvënësve që të votonte në favor të tyre.

Filimisht Presidenti Trump fajësoi demokratët për humbjen, por më pas kritikoi Grupin e Lirisë.

Paralajmërimi i zotit Trump vjen ndërsa republikanët po bëhen gati për një muaj debate brenda partisë për përparësitë e buxhetit.

Kongresi duhet të miratojë një paketë shpenzimesh deri më 28 prill, për të shmangur ndaljen e funksionimit të qeverisë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG